Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar në lidhje me zgjedhjet për kreun e FSHF-së.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale Meta kërkon të ndalet dhuna politike dhe shantazhet mafioze ndaj sportit.
“Negociatat keni tre vjet që na i bllokuat me Bashkimin Europian, po nga UEFA përse doni të na përzini?
Mjaft me dhunë politike dhe shantazhe mafioze ndaj sportit!”- shkruan Meta.
Ky reagim i Metës vjen pasi sot agjencia e lajmeve “AFP” e cila u interesua për zgjedhjet në Shqipëri, raportoi se UEFA pritet të vijë në Tiranë në ditët në vijim për t’u njohur më afër me përplasjet mes bashkisë së Tiranës dhe Federatës së Futbollit Shqiptar.
Sipas raportit të AFP-së, institucioni më i lartë i sportit në Europë shprehu shqetësimin e ndërhyrjes së politikës në sport.
Kujtojmë se kryebashkiaku Erion Veliaj, së fundmi ka paditur Presidentin e FSH-së Armand Duka në Prokurori me akuzën se ka kryer një sërë shkeljesh. FSHF si kundërpërgjigje publikoi një audiopërgjim të Veliajt i cili dëgjohej duke shantazhuar dhe përdorur një fjalor vulgar ndaj anëtarëve të shoqatës “Tirona”. Mbrëmjen e kaluar pas gjithë këtyre zhvillimeve, një person me kapuç vendosi një sasi tritoli në portën e banesës së Dukës në Durrës.