Vendosni fjalën kyçe....

Nga informacioni i Europol te organizata kriminale, pretendimet për atentatin ndaj Vuçiç


Zyrtarët në Serbi kanë kërkuar përmes një deklarate që shteti të marrë masa, për të zbuluar se kush ka tentuar ta vrasë presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

Më herët, Vuçiç, i ftuar nga televizioni privat serb, Pink, ka konfirmuar se informacionet për atentatin kundër tij, i ka marrë nga Europoli – agjencia evropiane e policisë.

Në një deklaratë të Qeverisë rajonale të Vojvodinës, të lëshuar më 24 janar, autoriteteve shtetërore u kërkohet të bëjnë gjithçka dhe t’i zbulojnë ata që kanë përgatitur, siç thuhet, vrasjen e Vuçiçit.

Më herët, ministrja e Energjisë e Serbisë, Zorana Mihajlloviç, ka deklaruar se kërcënimet për vrasjen e presidentit të Serbisë, paraqesin problem sigurie për mbarë vendin.

Informacionet për tentativën për atentat janë publikuar fillimisht nga ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin.

Më 21 janar, Vulin ka thënë se përmes Europolit, policia e një vendi evropian e ka informuar Ministrinë e Brendshme të Serbisë për krijimin e një grupi të organizuar kriminal, “qëllim i të cilit është vrasja, përkatësisht atentati ndaj presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç”.

I dyshuari: Zvicer

Siç ka shpjeguar Vulin, pas kontrollit të autenticitetit të informacionit, së bashku me përfaqësuesit e Europolit dhe shërbimet partnere, ka nisur një aksion gjithëpërfshirës për përcaktimin e identitetit të kësaj “organizate kriminale”.

“Në krye të kësaj organizate kriminale është shtetasi malazez, Radoje Zvicer, për të cilin Serbia tashmë ka lëshuar një urdhër arresti; është organizator dhe një nga krerët e klanit të Kavaçit, përgjegjës për kontrabandë dhe shitje të paligjshme të drogës, por edhe organizimin dhe urdhërimin e disa vrasjeve të kryera në territorin e Republikë së Serbisë, Malit të Zi, por edhe në vende të tjera”, ka thënë Vulin.

Ai ka shtuar se hetimet do të përcaktojnë nëse Radoje Zvicer e ka organizuar këtë grup kriminal sipas gjykimit të tij, apo sipas urdhrit të shefit të tij politik.

Vulin nuk ka treguar se për kë e ka fjalën kur përmend shefin politik të Radoje Zvicerit.

“Deri atëherë, anëtarët e MPB-së dhe Agjencisë së Sigurisë Informative do ta informojnë Prokurorinë për Krim të Organizuar për çdo informacion që do ta arrijnë përmes punës operative”, ka thënë Vulin.

Prokuroria nuk i ka komentuar këto deklarata.

Më 21 janar, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka konfirmuar për televizionin serb, Prva, se është informuar për atentatin e mundshëm kundër presidentit të Serbisë dhe se ai është planifikuar, sipas saj, për në gjysmën e parë të shkurtit.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë se shërbimet e sigurisë ushtarake dhe njësia speciale “Kobra” do të bëjnë gjithçka “për të parandaluar çdo kërcënim ndaj presidentit”.

Kush është Zvicer?

Më 21 maj, 2021, Mali i Zi ka lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar për Radoje Zvicerin, me dyshimin se, bashkë me nëntë persona të tjerë, ka formuar një organizatë kriminale dhe ka kryer vrasje të rëndë.

Zvicer përmendet në media si një nga krerët e “Klanit Kavaç” – një nga dy klanet e Kotorrit nga Mali i Zi.

Vetë Zvicer i ka mbijetuar atentatit në Ukrainë, në maj të vitit 2020, kur, sipas informacioneve të policisë ukrainase, është qëlluar nga katër ekzekutorë: dy nga Serbia dhe dy nga Mali i Zi.

Sipas raportimeve të mediave, Zvicer është qëlluar me tre plumba në gjoks, por është shpëtuar nga bashkëshortja e tij, Tamara Zvicer, e cila ka qëlluar me armë zjarri.

“Nuk di për atentat”

Prejse është bërë zëvendëskryeministër i parë në vitin 2012, pastaj për tre vjet kryeministër, e deri në janar të vitit 2022, kur ka shënuar gati pesë vjet në presidencë, mediat kanë raportuar për pesë atentate të supozuara ndaj Aleksandar Vuçiqit.

I pyetur nga gazetarët në konferencën vjetore për media për atentatet ndaj tij, Vuçiq ka thënë se nuk di as për një rast të vetëm.

“Ju thoni se ka pasur tentime për atentat, unë nuk di për asnjë”, ka thënë Vuçiq më 29 dhjetor, 2021.

Snajperi i Belivukut

Pas arrestimit të Velko Belivukut, më 4 shkurt, 2021 – i cilësuar në media si i afërt me klanin kriminal Kavaç dhe i akuzuar për vrasje të rëndë, zhvatje, rrëmbim dhe trafik droge – te pjesëtarët e grupit të tij është gjetur një pushkë snajper me municion.

Dy ditë më vonë, më 6 shkurt, Vulin ka thënë se në grupin e Velko Belivukut ka pasur disa persona të trajnuar për përdorimin e pushkës snajper.

“Snajperi përdoret për të eliminuar objektiva të rëndësishme – disa prej të cilave mund të mos jeni në gjendje t’iu afroheni aq lehtë. Këta zakonisht janë përfaqësues të shtetit”, ka thënë Vulin në atë kohë.

“Nëse do ta kishit vrarë atë, do ta kishit paralizuar gjithë vendin dhe do ta kishit sjellë atë në një destabilitet të rëndë politik, ndoshta edhe do ta kishit ndaluar luftën kundër mafias… I vetmi njeri, vdekja e të cilit do ta ndalonte luftën kundër mafias, do të ishte Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Vulin.

Sipas tij, siguria e presidentit të Serbisë është në rrezik, sepse ai “është përplasur me kriminelët më të fuqishëm në Evropë”.

Në aktakuzën e Prokurorisë për Krim të Organizuar kundër Velko Belivukut dhe 29 të tjerëve, e cila ka hyrë në fuqi më 11 nëntor, 2021, nuk përmendet tentativa për atentat ndaj Vuçiqit.

Bërnabiq për atentatin ndaj Vuçiqit në janar, 2021

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë më 24 tetor, 2021, se gjatë zbulimit të monumentit të princit Stefan Nemanja, në qendër të Beogradit, në janar të vitit 2021, është përgatitur atentati ndaj presidentit Vuçiq.

“Nëse do ta qëllonin Vuçiqin, do ta bënin rrëfimin sikur ajo të ishte një gjë e natyrshme – kushedi se në çfarë ka qenë i përfshirë ai dhe familja e tij… Është monstruoze se sa mirë ka qenë i lidhur ai rrjet”, ka thënë Bërnabiç, për të shtuar se shërbimet përgjegjëse po merren me rastin.

“Nuk do të ketë të mbrojtur, pa marrë parasysh emrin, mbiemrin, funksionin dhe përkatësinë partiake”, ka thënë ajo.

“[Vrasja e Vuçiçit] është planifikuar për një kohë të gjatë dhe në detaje. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë krijuar struktura paralele dhe janë bërë fushata në mediat manjate – të cilat janë transmetuar nga mediat e rajonit – për ta çnjerëzuar Vuçiqin dhe për ta kthyer atë dhe familjen e tij në një klan kriminal”, ka thënë Bërnabiq për Televizionin Pink.

Ajo nuk ka dhënë më shumë detaje rreth këtij rasti, ndërsa nuk ka as të dhëna se si ka vepruar Prokuroria në këtë rast.

Hetimet e vitit 2016 – armët në Jajince

Sipas raportimeve të mediave, një “arsenal” armësh dhe kuti municionesh janë gjetur në vitin 2016 në një pyll në Jajince – një vendbanim periferik, rreth 15 kilometra në jug të Beogradit – afër shtëpisë së familjes së prindërve të Vuçiqit.

Radio Televizioni i Serbisë (RTS) ka raportuar në atë kohë se janë gjetur predha, katër granata dore, 100 copa municion 7,62 milimetrash, disa plumba për armë automatike dhe 10-15 plumba të kalibrit të panjohur.

Sipas RTS-së, armët dhe municionet janë gjetur disa qindra metra larg shtëpisë së familjes Vuçiq.

Në atë kohë, Vuçiq ka qenë kryeministër i Serbisë, ndërsa ministër i Brendshëm ka qenë Nebojsha Stefanoviq, aktualisht ministër i Mbrojtjes.

Disa ditë më vonë, në kuadër të hetimeve për atentatin ndaj Vuçiqit, mediat kanë raportuar se policia në lagjen Beogradi i Ri ka zbuluar edhe një automjet të vjedhur, të tipit Renault Megane, plot me armë.

Në këtë automjet janë gjetur: një revole, një hekler (pushkë automatike), sasi e madhe municionesh, në dy vende nga 200 gramë eksploziv Tritol dhe dy celularë që mund të përdoreshin si detonatorë për aktivizimin në distancë të lëndëve plasëse.

Në atë kohë, ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, ka thënë për RTS-në se armët kanë qenë “në një vend ideal për sulmuesin”.

“Kryeministri [atëbotë Vuçiç] është në një vend të sigurt”, ka thënë Stefanoviç.

“Në një rreze prej një kilometri [rreth fshatit Jajince], në ditën e zbulimit të arsenalit të armëve dhe dy ditë më parë, kanë qenë 97 zyrtarë të lartë të sigurisë – gjë që është shumë e pazakonshme”, ka thënë Stefanoviç në fillim të nëntorit, 2016.

Edhe ky rast ka mbetur pa epilog gjyqësor.

Siç ka raportuar portali serb Insajder, në gusht të vitit 2017, Prokuroria e Lartë Publike ka vendosur se nuk ka bazë për fillimin e procedurës penale për rastin në Jajince.

Sulmi ndaj Vuçiçit në Potoçari

Derisa ka qenë kryeministër i Serbisë, Vuçiç është sulmuar më 11 korrik të vitit 2015 në Potoçari, ku po shënohej 20-vjetori i gjenocidit në Srebrenicë.

“Në një moment jam goditur me një gur në gojë, asgjë e tmerrshme, më kanë rënë syzet dhe më janë thyer”, ka thënë Vuçiç pas incidentit.

Por, disa media në Serbi e kanë cilësuar këtë incident si atentat: “Atentat ndaj Vuçiqit në Srebrenicë” dhe “Tentativë për vrasjen e Vuçiçit në Potoçari” kanë qenë disa nga kryetitujt e asaj kohe.

Pesë vjet pas incidentit, më 2020, Vulin ka kritikuar autoritetet në Bosnje, duke thënë se nuk kanë gjetur autorët e tentim-vrasjes së Vuçiçit në Srebrenicë.

“Kanë kaluar pesë vjet nga tentativa për vrasjen e Aleksandar Vuçiçit në Srebrenicë, askush nuk është arrestuar apo dënuar”, ka thënë Vulin në korrik të vitit 2020.

Kryeministri serb është vrarë më 2003

Më 12 mars, 2003, në Beograd është vrarë kryeministri i Serbisë dhe lideri i Partisë Demokratike, Zoran Gjingjiq.

Gjingjiq është qëlluar për vdekje në hyrje të ndërtesës së Qeverisë së Serbisë.

Organizatori i vrasjes, Milorad Ulemek Legija, dhe snajperisti Zvezdan Jovanoviq janë dënuar me nga 40 vjet burgim.

Prapavija politike e vrasjes së Gjingjiqit nuk është zbuluar ende.

VINI RE: Ky material është pronë intelektuale e Radio Evropa e Lirë