Zyrtarët amerikanë duket se janë tërhequr nga pretendimet se Moska mund të jetë në prag të urdhërimit të një pushtimi të Ukrainës fqinje, kjo pasi paralajmëruan se rreziku i përshkallëzimit mbetet i lartë.
Duke folur me gazetarët në një konferencë shtypi të hënën, zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha se “natyrisht ne jemi të ndërgjegjshëm për gjërat që rusët mund të bëjnë, të cilat potencialisht do të na japin indikacione për një lloj inkursioni të afërt”. Megjithatë, ai vazhdoi: “ne nuk jemi ende atje, por ne po shikojmë për ato indikatorë shumë, shumë nga afër.”
Në të njëjtën kohë, zyrtari përsëriti pohimet e Uashingtonit se Rusia po kërkon të “kërcënojë më tej fqinjin e saj dhe potencialisht të shkelë më tej integritetin territorial të Ukrainës“. Por shtoi se Rusia nuk është ende gati të ndërhyjë.
“Është shumë e qartë se rusët nuk kanë asnjë qëllim për momentin të de-përshkallëzojnë.”– vazhdoi Kirby sipas RT-së, duke shtuar se Uashingtoni dëshiron të pengojë Moskën nga sulmet.
Pentagoni ka vendosur rreth 8 mijë e 500 trupa në gatishmëri më të lartë të hënën në përgjigje të tensioneve në Evropën Lindore, ndërsa NATO njoftoi njëkohësisht se kishte vënë më shumë forca në gatishmëri dhe kishte dërguar anije shtesë dhe avionë luftarakë në rajon.
Ambasadat e SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Australisë në Kiev u këshilluan të evakuonin stafin dhe anëtarët e familjes gjatë fundjavës, ndërsa NATO vazhdon të akuzojë Rusinë se po përgatitet për të pushtuar fqinjin e saj. Moska ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat dhe këmbëngul se forcat e saj në kufirin me Ukrainën nuk përbëjnë kërcënim.
Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Alexey Danilov gjithashtu u duk se minimizoi rrezikun e një konflikti më të madh në fillim të kësaj jave. “Nga sot, ne nuk shohim asnjë bazë për deklarata për një ofensivë të plotë në territorin tonë. Është edhe fizikisht e pamundur.”- tha ai të hënën. Danilov shtoi se Kievi po gjurmonte lëvizjen e forcave ruse. “Ndoshta, të shohësh trupat ruse është një çudi për partnerët tanë të huaj, të cilët më në fund panë se ka forca ruse dhe ata lëvizin në një mënyrë të caktuar.”– tha Danilov.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri jehonë një mesazhi të ngjashëm në një fjalim televiziv, duke i kërkuar publikut që të mos bjerë në panik.
Komentet vijnë pasi Presidenti i SHBA-ve Joe Biden paralajmëroi gjatë një konference për shtyp javën e kaluar se presidenti rus Vladimir Putin mund të bëjë një lëvizje, duke shtuar se “ai duhet të bëjë diçka”.