Vendosni fjalën kyçe....

Policia merr në mbrojtje banesën e kreut të FSHF-së Armando Duka


Policia ka marrë në mbrojtje shtëpinë e kreut të FSHF-së Armando Duka pas shpërthimit të tritolit mbrëmjen e djeshme.

Policia ka marrë pamjet e kamerave të sigurisë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes së rëndë.

Kreu i FSHF-së Armando Duka pohoi në një deklaratë mbrëmjen e djeshme se kishte pasur kërcënime me jetë ditët e fundit ndërsa theksonte se nuk kishte shpresë te policia.

Tritoli në banesën e Dukës vjen pas përplasjeve me deklarata ditët e fundit mes kryebashkiakut të Tiranës Veliaj e kreut të FSHF-së. Veliaj ka deklaruar se kërkon hetim kombëtar e ndërkombëtar ndaj Dukës të cilin e akuzon për korrupsion, vjedhje e shpërdorim detyre ndërsa ai është kundërpërgjigjur duke thënë se kreu i bashkisë sillet si hetues i kohës së diktaturës.

Po kështu FSHF-ja publikoi një material audio ku Veliaj dëgjohej duke kërcënuar anëtarët e shoqatës së futbollit Tirana.

Në audion e publikuar Veliaj dëgjohej të deklaronte se FSHF-ja është i vetmi ishull ende jashtë kontrollit. Krimi Ekonomik i Policisë së Shtetit ka kallëzuar penalisht kreun e FSHF-së të cilin e akuzon për përvetësim fondesh e shpërdorim detyre.