Vendosni fjalën kyçe....

Raporti i TI: Qeveritë në mbarë botën e përdorën Covid-in për të minuar të drejtat e njeriut


Lufta globale kundër korrupsionit ka qenë në stanacion për një dekadë, me 86% të vendeve që ose kanë qenë duke u përkeqësuar ose nuk kanë bërë përparim në trajtimin e problemit. Po ashtu shumë qeveri janë akuzuar për përdorimin e pandemisë për të minuar të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Këto janë gjetjet e një raporti të fundit.

“Transparency International” në raportin e publikuar të martën për indeksin e korrupsionit, zbuloi gjithashtu se vendet që shkelin liritë civile vazhdimisht kanë rezultate të ulëta, duke nënvizuar se si dështimi për të trajtuar korrupsionin përkeqëson abuzimet e të drejtave të njeriut dhe minon demokracinë.

 

Indeksi i vitit 2021 thekson lidhjen midis korrupsionit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut – nga vendet me pikët më të ulëta deri tek ekonomitë e përparuara. (100 është nota më e lartë dhe 0 më e ulëta që përfaqëson një vend “shumë të korruptuar”.)

Raporti vë në dukje se nga 331 raste të regjistruara të vrasjes së mbrojtësve të të drejtave të njeriut në vitin 2020, 98% kanë ndodhur në vende me një rezultat CPI nën 45.

Raporti citon raste të fundit në Filipine dhe Venezuelë.

“Filipinet kanë vazhduar rënien e tyre në fillimin e vitit 2014 në një rezultat prej 33, pasi Presidenti Rodrigo Duterte ka goditur lirinë e asociimit dhe të shprehjes që nga zgjedhja e tij në vitin 2016.”- tha Transparency International, citon The Guardian.

“Ai ka gjithashtu një shkallë jashtëzakonisht të lartë të vrasjeve të mbrojtësve të të drejtave të njeriut, me 20 të vrarë në vitin 2020.”

Në Venezuelë, raporti thotë: “Qeveria e Presidentit Nicolás Maduro ka shtypur mospajtimin e kundërshtarëve politikë, gazetarëve dhe madje edhe punonjësve të kujdesit shëndetësor. Vendi ka rënë ndjeshëm në CPI gjatë dekadës së fundit, duke fituar rezultatin më të ulët deri tani prej 14 në 2021.”

Në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, raporti përshkruan një “cikël vicioz të rritjes së autoritarizmit, abuzimeve të të drejtave të njeriut dhe korrupsionit ku liderët politikë e përdorën pandeminë Covid-19 si një pretekst për të reduktuar mbikëqyrjen dhe llogaridhënien për prokurimin publik dhe shpenzimet e ndihmës së huaj, nga Shqipëria në Kirgistan”.

Altynai Myrzabekova, këshilltar rajonal i Transparency International për Azinë Qendrore, tha: “2021-shi ka qenë shkatërrues për të drejtat civile në të gjithë Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore. Udhëheqësit e korruptuar shtypin të gjitha mospajtimet – nga partitë opozitare, te aktivistët dhe shtypi.

Ndërsa bëjnë pak për të luftuar ndikimin e pandemisë Covid-19 në popullatë, qeveritë e kanë përdorur atë për të frenuar më tej të drejtat dhe liritë, duke rrënjosur më tej autoritarizmin.”

Ndërsa indeksi vuri në dukje disa përmirësime në Afrikën Sub-Sahariane, ai i përshkroi ato me “probleme serioze të korrupsionit … të përkeqësuara nga konfliktet e vazhdueshme të dhunshme dhe sulmet terroriste në vendet nga Sudani i Jugut në Mali”.

Në mënyrë të ngjashme, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut, Transparency International zbuloi se “korrupsioni sistematik politik pengon përparimin dhe përkeqëson abuzimet e të drejtave të njeriut.”

Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re kryesuan me rezultate 88 nga 100, ndërsa në nivelet më të ulëta janë Somalia dhe Siria të cilat shënuan secila nga 13 pikë, dhe Sudani i Jugut 11.

Sipas raportit, 27 vende mes të cilave përmendim Qipron (me 53 pikë), Kanadanë (74), Libanin (24) dhe Hondurasin (23), kanë arritur nivelet më të ulëta historike vitin e kaluar.