Vendosni fjalën kyçe....

Balla pas kërkesës së Metës për KPA-në: Presidenti kërkon të krijojë artificë ligjore lidhur me proceset e ardhshme në Kushtetuese



Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka reaguar lidhur kërkesën e Presidentit Ilir Meta për procedimin disiplinor të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Balla thotë se kërkesa e Metës nuk është e mbështetur në Kushtetutë dhe në ligj. Ai akuzon presidentin se po kërkon të krijojë artificë ligjore lidhur me zhvillimin e proceseve të ardhshme pranë Gjykatës Kushtetuese, për të penguar apo bllokuar zhvillimin e tyre.

“Lidhur me njoftimin e sotëm mbi një kërkesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë për procedimin disiplinor të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, vlerësoj se kërkesa e paraqitur nga ana e tij nuk është e mbështetur në Kushtetutë dhe në ligj.

Presidenti i Republikës duke u përpjekur të cenojë integritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe të vendim-marrjes së saj, po vijon veprimet në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet. Akte këto, të cilat sollën dhe shkarkimin e tij nga Kuvendi i Shqipërisë.

Është mëse qartë që vendimet e një procesi në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të jenë në përputhje me “interesat” e një kërkuesi apo grupeve të cilat preken nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por vetëm në përputhje me Kushtetutën e ligjin, ndaj “pala e pakënaqur” nuk duhet të ndërmarrë akte të cilat pengojnë dhe vënë në provë sistemin e garancive të pavarësisë dhe paanshmërisë së Gjykatës Kushtetuese të një vendi.

Nëpërmjet kësaj kërkese të pabazuar, Presidenti i Republikës, kërkon të krijojë artificë ligjore lidhur me zhvillimin e proceseve të ardhshme pranë Gjykatës Kushtetuese, për të penguar, apo bllokuar zhvillimin e tyre.

Reforma në Drejtësi ka krijuar dhe po vijon të krijojë “shqetësime” të vazhdueshme dhe për rrjedhojë do të shoqërohet me reagime apo presione me mjete joligjore, me të cilat organet e reja të sistemit të drejtësisë duhet të përballen.

Çdo zyrtar publik duhet t’i përmbahet me përpikmëri Kushtetutës dhe ligjeve, në mënyrë që të justifikojnë besimin e gjërë të publikut në Reformën e Sistemit të Drejtësisë.”– shkruan Balla.