Vendosni fjalën kyçe....

Britania do ndalojë operacionet për ‘qepjen’ e vaginës dhe testet e virgjërisë


Operacioni i riparimit të himenit dhe testimi i virgjërisë do të ndalohen në Mbretërinë e Bashkuar

Qeveria britanike po planifikon të ndalojë një operacion estetik të quajtur himenoplastikë në të gjithë vendin.

Operacioni përpiqet të riparojë himenin e një gruaje, i cili në disa kultura është i lidhur me virgjërinë. Procedura do të kriminalizohet, ashtu si dhe testimi i virgjërisë.

Ministrja për Kujdesin dhe Shëndetin Mendor Gillian Keegan tha se qeveria ishte ‘e përkushtuar për të mbrojtur gratë dhe vajzat e cenueshme në këtë vend’.

Himenoplastika ofrohet në klinika dhe mund të kushtojë deri në 3000 stërlina. Procedura rikrijon një membranë të hollë të njohur si himeni i cili mbulon pjesërisht hyrjen në vaginë. Sipas OBSH-së ‘pamja e një himeni nuk është një tregues i besueshëm i marrëdhënies’.

Himeni i një gruaje mund të çahet për të gjitha llojet e arsyeve dhe jo vetëm nëpërmjet marrëdhënieve seksuale, për shembull duke luajtur sport ose duke përdorur tamponë.

Praktika e himenoplastikës është e lidhur me kulturat konservatore të cilat i japin një vlerë të lartë virgjërisë, me shpresën që një virgjëreshë duhet të rrjedh gjak pas seksit në natën e saj të dasmës.

OBSH thotë se testimi i virgjërisë praktikohet në të paktën 20 vende. Ai përfshin një ekzaminim vaginal ndërhyrës për të kontrolluar nëse himeni është i paprekur.