Vendosni fjalën kyçe....

Celibashi thirrje qytetarëve të 6 bashkive: Kontrolloni pasaportat dhe kartat e identitetit, nëse i keni të skaduara nuk mund të votoni më 6 mars


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u ka bërë sot thirrje qytetarëve të 6 bashkive ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale, që të kontrollojnë vlefshmërinë e dokumentit të tyre identifikimit.

Përmes një njoftimi për mediet, KQZ paralajmëron qytetarët e 6 bashkive që të kontrollojnë nëse karta e tyre e identitetit ose pasaporta është e vlefshme dhe nuk ka skaduar deri më datën 6 mars. Nëse këto dokumente kanë skaduar në atë datë, qytetarët nuk do të munden të votojnë.

“Të gjithë qytetarët e bashkisë Dibër, Shkodër, Durrës, Rrogozhinë, Vorë dhe Lushnje, të cilët gëzojnë të drejtën e votës, dhe/ose mbushin 18 vjeç në datën 6 Mars, nuk mund të votojnë për të zgjedhur kryetarin e bashkisë së tyre nëse dokumenti i identifikimi (kartë identiteti/pasaportë) nuk është i vlefshëm në datën e zgjedhjeve.
Procesi i votimit nuk mund të kryhet pa një mjet identifikimi të vlefshëm në ditën e zgjedhjeve. Ndaj, Komisioneri Celibashi i bën thirrje qytetarëve, që nëse vlefshmëria e dokumentit të identifikimit ka skaduar apo skadon në datën 6 Mars, të mos e lënë për në momentin e fundit, por të drejtohen pranë zyrave të kompanisë ‘Aleat’ për të aplikuar për rinovimin e tyre.

Të votosh është e drejtë por edhe përgjegjësi qytetare. Ndaj, sigurohuni që në ditën e votimit të keni dokumentin e identifikimit tuaj të vlefshëm.”– thuhet në njoftimin e KQZ-së.