Vendosni fjalën kyçe....

Erion Veliaj: Asnjë betejë nuk është e pamundur, as kjo me FSHF-në, unë e kam ndarë mendjen


Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj zhvilloi sot një takim me dekanët dhe rektorët e universiteteve publike të kryeqytetit.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj solli ndërmend kohën kur bëhej beteja për mbylljen e disa universiteteve private. Ai theksoi se kjo betejë duhet të niste nga diku, që sot të rinjtë të merrnin arsimimin e duhur.

Sot sipas kryebashkiakut, e njëjta situatë po ndodh edhe me betejën me FSHF-në.

Për kryebashkiakun, ashtu si çdo betejë tjetër e bërë në Tiranë edhe beteja me FSHF-në do të tregojë se nuk ka të paprekshëm.

“Dje më pyeti dikush: Pse nuk u more më herët me FSHF-në? I thashë, sepse më përpara kisha një betejë tjetër, atë me betonieret. Edhe për atë betejë thoshin është e pamundur, por ja ku jemi sot. Pavarësi nuk do të thotë të jesh i paprekshëm! Ky qytet dhe ky vend ka çdo ditë beteja.

Në fillim ishte beteja për informalitetin sepse nuk paguhej as uji, as dritat, pra praktikisht vidhnim shtëpinë tonë. Pastaj, ishte beteja e universiteteve, sepse ishte e pamundur t’i thoje një të riu se diploma e ‘Kristalit’ dhe ‘Vitrinës’ do të shpien përpara në jetë. Ishte gënjeshtër e madhe! Një abuzim dhe vjedhje e madhe. Ishte e pamundur të shkulje disa çibanë brenda universitete.

Ja ku jemi sot! Ishte e pamundur lufta me betonieret. Ja ku jemi sot! Nuk ka betejë që nuk fitohet nëse shumica morale e shoqërisë e ndan mendjen për ta fituar këtë betejë. Unë e kam ndarë mendjen dhe për betejën me FSHF-në.”- tha Veliaj.