Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar sot në SPAK 8 punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve në varësi të saj, si dhe dy punonjës të Agjencisë së Trajtimit të Koncensioneve (ATRAKO).
Në një njoftim për mediet, KLSH bën me dije se gjatë ushtrimit të auditimit financiar dhe përputhshmërisë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konstatuar shkelje të kryera nga ana e 10 funksionarëve.
Ata akuzohen se shkelën barazinë në tenderat për pajisjen me laboratorë të spitaleve në Sarandë dhe Lushnjë.
NJOFTIMI I KLSH-së
Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë ushtrimit të auditimit financiar dhe i përputhshmërisë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konstatuar shkelje të kryera nga ana e tetë funksionarëve të MSHMS, institucioneve në varësi të saj, si dhe dy punonjës të ATRAKO, lidhur me procedurën për “Koncesionin/ partneritetin publik privat, për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes” si dhe procedurën e prokurimit për “Blerje monitor pacienti për masat anti-covid”.
Nga auditimi i procedurës së koncesionit të lartëpermendur, janë evidentuar veprime të kundërligjshme të shtatë punonjësve, anëtarë të Kominisionit të Dhënies së Koncesionit/PPP veprime këto që bien në kundërshtim me detyrimet ligjore që i atribuohet këtij komisioni, si dhe me dispozitat ligjore që normojnë procedurën e koncesionit në fjalë.
Gjithashtu nga auditimi i procedurës së prokurimit për “Blerje monitor pacienti për masat anti-covid” janë konstatuar një sërë shkeljesh të kryera nga tre punonjës, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në kundërshtim me dispozitat ligjore për prokurimin publik, si dhe me përmbushjen e rregullt të detyrës së anëtarit të KVO-së.
Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhjetë punonjës të lartëpërmendur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.