Presidenti i vendit Ilir Meta ka përshëndetur apelin e kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi drejtuar qytetarëve të 6 bashkive në të cilat do të mbahen më 6 Mars zgjedhjet e pjesshme lokale.
Në komentin e tij, Meta thekson se vota është fuqia e vetme dhe më e fortë në demokraci.
“E përshëndes dhe mbështes plotësisht mesazhin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, z.Ilirjan Celibashi drejtuar qytetarëve me të drejtë vote në të gjashtë bashkitë ku do zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale, me qëllim garantimin e së drejtës kushtetuese për të zgjedhur.
Vota është fuqia e vetme dhe më e fortë në demokraci!”– shkruan Meta.
Ky koment i Metës vjen pas thirrjes publike që kreu i KQZ-së Celibashi u bëri qytetarëve në 6 bashkitë Dibër, Shkodër, Durrës, Rrogozhinë, Vorë dhe Lushnjë, që të kontrollojnë dokumentet e tyre të identifikimit. Celibashi i paralajmëroi qytetarët se nëse karta e tyre e identitetit ose pasaporta është e skaduar më 6 Mars, ata nuk do të munden të votojnë.