Platforma për Bursën Shqiptare të Energjisë (ALPEX) do të ofrohet nga një konsorcium grek.
Tashmë procedura, e cila hasi një sërë “ngërçesh” gjatë rrugës, ka një kompani fituese, duke i hapur kështu rrugë konkretizimit të një prej hallkave më të rëndësishme të sektorit.
Në faqen e Agjencinë e Prokurimit Publik (APP) është publikuar njoftimi ku rezulton se me një ofertë prej 220 milionë lekësh bashkimi i tre operatorëve nga shteti fqinj është fituesi. Mbyllja e procedurës rezulton të jetë bërë më 13 dhjetor 2021 kur është bërë edhe njoftimi drejtuar konsorciumit.
Bëhet fjalë për kompanitë HELLENIC ENERGY EXCHANGE S.A (Bursa Greke e Energjisë), ENEX CLEARING HOUSE (Kompania për platformën e rakorim/ likuidimit financiar) dhe HELLENIC EXCHANGES – ATHENS STOCK EXCHANGE S.A(Bursa e Titujve e Greqisë).
“Monitor” kontaktoi me përfaqësues të Bursës Shqiptare të Energjisë të cilët konfirmuan se tashmë ka një kompani fituese sikurse rezulton nga sistemi i APP.
Ofrues i shërbimit do ti mundësojë ALPEX platformën e tregtimit të energjisë elektrike, e përshtatshme për tu aksesuar në tregjet europiane në formën e rakordim/likuidimit financiar, menaxhimit të riskut.
Po kështu do të asistojë në krijimin e një strukture më të përshtatshme si dhe këshillimin mbi rregullat e tregtimit. Ofruesi i shërbimit do të garantojë që ALEPX sipas modelit europian të organizojë tregun e ditës në avancë dhe brenda të njëjtës ditë si fillim për tregun e Shqipërisë dhe më pas bashkimin e tregjeve shqipëri Kosovë.
Referuar termave të përcaktuar më herët në dokumentet e procedurës së prokurimit kompania do të ketë në dispozicion 9 muaj kohë pas në nënshkrimit të kontratës për të bërë oepracionale Bursën. Kjo do të thotë që me shumë gjasa nënshkrimi i kontratës nëse respektohen afatet e paracaktuara në dokumente të bëhet në fillim të shkurtit.
Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve Shqipëria do të ketë një bursë funksionale në nëntor të këtij vit i takon tregtimit për ditën në avancë dhe plus dy muaj të tjerë për tregun në avancë mes dy vendeve Shqipëri dhe Kosovë që janë edhe aksionerë të përbashkët në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX).
Bërja funksionale e Bursës është një hallkë shumë e rëndësishme e tregut të energjisë dhe e kërkuar me ngulm nga pjesëmarrësit potencialë të saj ku bëjnë pjesë qoftë prodhuesit, qoftë furnizuesit apo bizneset në tregun e lirë. Ndikimi nënvizohet sidomos në aspektin e rritjes së konkurrencës por edhe transparencës së çmimeve.
Më kërkesat që ALPEX ka përcaktuar në dokumentet e tenderit e bën Shqipërinë dhe Kosovën që të jetë ndër vendet e para brenda Ballkanit Perëndimor që të ketë një treg të bashkuar si dhe pas dy vitesh të ketë tregun brenda të njëjtës ditë të bashkuar. /N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor