Që prej mbrëmjes së kaluar, dy portalet “Lapsi.al” dhe “Dosja.al” raportojnë se janë përballur me një sulm kibernetik.
E gjithë kjo ka ndodhur pas një sërë shkrimesh lidhur me përplasjen e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, me kreun e FSHF-së Armand Duka.
“Lapsi” përmes një postimi në faqen zyrtare në “Facebook” bën përgjegjës për këtë pikërisht kryebashkiakun: “Faqja Lapsi përballë një sulmi të fortë kibernetik. Dihen arsyet pse e bën Zdromsi këtë”.
Po ashtu edhe portali “Dosja” lë të kuptohet se sulmi ka ardhur nga ata në “pushtet”. Administratori i këtij portali Enton Abilekaj, shkruan se edhe “Messenger”-i i tij personal doli përkohësisht jashtë shërbimit.
“Mbrëmë dhe sot në mëngjes, Dosja.al ka patur vështirësi në aksesim, ndonjë moment edhe ka rënë për shkak të sulmeve kibernetike. Messengeri im personal doli jashtë shërbimit, ndërsa hyrja në gmail ishte një torturë e vërtetë, për shkak të verifikimeve që më kërkonte.
Jam i sigurtë që ky denoncim publik nuk vlen për ata që duhet ta luftojnë krimin kibernetik, sepse keqbërësit janë shefat e tyre. Megjithatë nuk mund të mos denoncoj metodat kriminale që përdor Pushteti Totalitar, për të shoqëruar presionin e vazhdueshëm mbi ato pak media që nuk i ka blerë.”– shkruan Abilekaj.