Vendosni fjalën kyçe....

Vëllai i Alexey Navalny-t në kërkim nga policia ruse


Oleg Navalny dhe Alexey Navalny

Vëllai i opozitarit rus Alexey Navalny është vendosur në listën e personave të kërkuar në Rusi.

Siç shkruan RT, këtë të mërkurë fotografia dhe të dhënat personale të Oleg Navalny-t u shfaqën në bazën e të dhënave të Ministrisë së Brendshme ruse.

Oleg Navalny rezulton në kërkim “në bazë të nenit të Kodit Penal”. Megjithatë, nuk jepet asnjë detaj për krimet specifike për të cilat ai akuzohet.

Avokati i tij, Nikos Paraskevov, tha për RIA Novosti se urdhri i arrestit lidhej me mungesën e tij nga vendbanimi dhe mosarritjen për inspektim për më shumë se një muaj.

Të martën, Shërbimi Federal i Ndëshkimit u bëri thirrje gjyqtarëve në kryeqytetin rus që të ndryshonin dënimin me kusht të vëllait më të ri të Navalny-t dhe ta vendosnin në burg. Seanca do të mbahet më 18 shkurt. Sipas tyre, Oleg “nuk respekton siç duhet kufizimet e vendosura nga gjykata”.

Një hetim u nis janarin e kaluar kundër vëllait të figurës së njohur të opozitës dhe tetë personave të tjerë, të cilët akuzohen për nxitje të shkeljeve të kufizimeve të pandemisë Covid-19 të lidhura me një tubim pro-Navalny në Moskë më 23 janar. Navalny më i ri u la i lirë me kusht në gusht pasi u shpall fajtor për akuzat. Ai këmbëngul se dënimi është i motivuar politikisht.

Vendimi për të vendosur 38-vjeçarin në listën e të kërkuarve vjen vetëm një ditë pasi Navalny dhe një numër i bashkëpunëtorëve të tij më të shquar u shtuan në listën zyrtare të qeverisë së “terroristëve dhe ekstremistëve”.

Në mesin e tetë të tjerëve të konsideruar si “terroristë dhe ekstremistë” ishin disa individë që kishin punuar në Fondacionin Kundër Korrupsionit (FBK), një organizatë e themeluar nga figura e opozitës në vitin 2011 për të hetuar dhe ekspozuar korrupsionin midis zyrtarëve të lartë rusë. FBK-ja u caktua si “agjent i huaj” nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2019 dhe në qershor 2021 u etiketua si organizatë ekstremiste dhe u likuidua.

Alexey Navalny është aktualisht pas hekurave duke vuajtur një dënim prej dy vjetësh e tetë muajsh burg për shkelje të kushteve të një dënimi me kusht të dhënë atij në vitin 2014 për mashtrim. Ai u shpall fajtor për përvetësim të 400 mijë dollarëve nga dy kompani. Figura e opozitës u arrestua në janar të vitit 2021, kur u kthye në Rusi nga Gjermania.