Vendosni fjalën kyçe....

Berisha për Ukrainën: Duhet ta ndihmojmë të paktën me fishekë dhe municione, por Rama dhe Basha heshtin se udhëzohen nga Beogradi


Pas rikthimit të tij në Parlament pas katër muajsh mungesë, ish-kryeministri Sali Berisha dha qëndrimin e tij lidhur me tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës, ku kjo e fundit thotë se gjendet përballë një agresioni rus.

Berisha shpreh solidaritetin e tij me Ukrainën, ndërsa thotë se Shqipëria duhet ta mbështesë këtë vend qoftë edhe me fishekë dhe municione për të përballuar një sulm të mundshëm nga Rusia.

Por ai akuzon kryeministrin Edi Rama si dhe kryedemokratin Lulzim Basha se po heshtin dhe s’po veprojnë në lidhje me këtë çështje, pasi marrin urdhra nga Beogradi.

“Si më duket mua vetja sot këtu?! Sikur jam në PArlamentin e Taxhikistanit, për të mos thënë edhe më keq. Zonjë, a ekziston sot një kërcënim i madh europian dhe botëror nga një diktator paranojak që quhet Vladimir Putin?! A po kërcënohet për pushtim një vend sovran me përpjekje titanike për të ecur në rrugën e demokracisë?! Çfarë është kjo narkoqeveri dhe ky narkoparlament që nuk thotë një fjalë të vetme?! Por sikur janë të Taxhakistanit, sikur janë sferë e Putinit.

A rrihet në këtë Parlament apo jo më thoni mua?! Jo nuk rrihet. Natyrisht, por jam këtu për t’i shprehur solidaritetin tim të plotë, të PD-së dhe të dmeokratëve shqiptarë, kombit ukrainas, shqiptarëve në Odesë në Ukrainë dhe kudo që janë. Jam këtu për të ngritur zërin, për të ndihmuar Ukrainën që kërcënohet nga një barbari e Kremlinit.

Shqipëria duhet të bëjë gjithçka për të ndihmuar këtë vend. Të paktën fishek dhe municione mund t’u dërgohen atyre, por argati i Beogradit, jo më kot hesht dhe pengu i tij natyrisht, por ju zotërinj deputetë përfaqësoni PD-në dhe jo Lul Bravën, prandaj duhet të jetë kjo seancë ku duhet shprehni solidaridet për kombin ukrainas. Duhet të flisni. Nuk duhet këtu të dominojë Beogradi me udhëzimet e tij. E kam ngritur dhjetëra e dhjetëra herë, Ballkani i Hapur është hegjemoni serbe dhe hegjemoni ruse. Të lutëm. Le të vijnë njëherë ata të dy këtu të japin llogari për këtë.”– tha Berisha.