Ish-kryeministri Berisha ka shkuar sot në parlament pas katër muajsh mungesë.
Në një dekaratë të bërë para hyrjes në sallë, ai është solidarizuar me banorët e Laprakës e 5 Majit që po zhvillojnë një protestë para parlamentit kundër prishjes së banesave të tyre.
I pyetur mbi kthimin e tij në parlament ai tha se kthehet aty në respekt të qytetarëve duke shpjeguar se mungesa e tij ka qenë për shkak të foltoreve në mbarë vendin.
Berisha theksoi se prishja e banesave të qytetarëve po bëhet në shkelje të ligjit e Kushtetutës.
“Pavarësisht se kanë 15-20 vite në shtëpitë e tyre, iu prishen banesat në kundërshtim me çdo normë, ligj dhe Kushtetutë. U prishen banesat nga qeveritarë, të cilët dëshmojnë se hajnitë, vjedhjet e tyre, i kanë zhveshur nga çdo ndjenjë njerëzore, nga çdo normë njerëzore. Duke thënë këto fjalë, unë personalisht mbështes zhvillimin e qytetit, mbështes projektet të cilat e bjnë këtë qytet më të bukur, më të jetueshëm. Por nuk mbështes kurrë barbarinë ndaj qytetarëve të tij. Në qoftë se ti vendos për shkak të planeve për të prishur shtëpitë e të tjerëve, dhe mund të bësh këtë, nuk përjashtohet, ka një detyrim moral, fillimisht ulesh me ta, duhet t’ua shpjegosh projektin, të përcaktosh kushtet dhe të dëgjosh kushtet që parashtrojnë ata. Qoftë zhvilluesi shtetëror apo privat, je i detyruar të veprosh këtu. Përveç kësaj, gjithçka që veprohet, veprohet duke i dhënë ligjit fuqi prapavepruese. Deri në vitin 2012, ligji parashikonte legalizim, pastaj urbanizim. Të gjitha këto shtëpi janë trajtuar para ligjit 2014, dhe trajtohen me këtë ligj. Por kjo nuk ndodh sepse jo kohezioni social, jo njerëzia, jo liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, por urrejtja ndaj tyre që ke vjedhur dhe mbi vjedhjet ke ndërtuar parajsën dhe lumturinë, janë karakteristika të pushtetit kleptokratik.” – tha ndër të tjera Berisha.