Zgjidhet kryetari i ri i shoqatës Rajonale të Futbollit në Fier. Sikurse ka njoftuar Federata Shqiptare e Futbollit, është zgjedhur Ilias Haxhiraj.
Ky i fundit, njëlloj sikurse Krenar Alimehmeti i cili u zgjodh në Tiranë, konsiderohet si i besuar i kreut aktual të FSHF-së, Armand Duka.
Procesi zgjedhor nuk është mirëpritur nga shoqata e Futbollit të Fierit i konsideron vendimet e marra dhe veprimet proceduriale të kryera, deri më tani, nga FSHF dhe disa Shoqata rajonale, “si vendime dhe veprime proceduriale absolutisht të pavlefshme dhe të marra dhe të kryera në kundërshtim dhe mosrespektim të përcaktimeve të bëra në Statutin e SHRF-së dhe Rregulloren e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së.”
“Shoqata Rajonale Fier shpreh shqetësimin për mënyrën se si disa SHRF kanë organizuar në mungesë të transparencës dhe në shkelje të përcaktimeve statutore procesin zgjedhor të votimit të delegatëve që do të përfaqësojnë SHRF-të në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF.”– thuhet në një njoftim.
Ndërkohë FSHF thotë se në mbledhjen e zhvilluar në Fier morën pjesë delegatët e 15 anëtarëve të kësaj shoqate nga 23 që janë në total. Këto 15 anëtarë u përfaqësuan në Asamble me 23 delegatë.
Pas fitores, Haxhiraj tha se sfida e tij në detyrën e re do të jetë që t’i japë më shumë përparësi futbollit amator.
NJOFTIMI I FSHF-së
Janë zhvilluar këtë të enjte punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Fier, ku është zgjedhur edhe kryetari i ri i kësaj shoqate. Në këtë mbledhje të zhvilluar në Fier morën pjesë delegatët e 15 anëtarëve të kësaj shoqate nga 23 që janë në total. Këto 15 anëtarë u përfaqësuan në Asamble me 23 delegatë.
Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Tahir Kastrati, i cili mori pjesë në këto punime, falënderoi të gjithë anëtarët e kësaj shoqate për kontributin e dhënë për zhvillimin e futbollit në zonën e Fierit, teksa i garantoi se Federata e Futbollit do të jetë gjithmonë në mbështetje të tyre.
Më tej, punimet vazhduan sipas rendit të ditës, që kishte si pikë kryesore zgjedhjen e kryetarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Fier, ku pas votimit u zgjodh Ilias Haxhiraj, i cili mori 23 vota. Në këtë mbledhje u miratua edhe buxheti i SHRF Fier për vitin 2022, teksa anëtarësia e shoqatës vendosi të propozojë emrin e Ilias Haxhiraj për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së.
Gjithashtu, Shoqata Rajonale e Futbollit Fier, në këtë mbledhje vendosi të trajtojë edhe propozimin e disa anëtarëve për zgjedhjen e përfaqësuesve të SHRF Fier në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së.
Në përfundim të votimit delegatët e SHRF Fier zgjodhën 4 nga 5 kandidatura të propozuara me të drejtë vote në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të FSHF-së. Përfaqësuesit e zgjedhur janë Ilias Haxhiraj, Koço Kokëdhima, Fatos Sulaj dhe Robert Caushaj.
Në një prononcim pas këtyre punimeve, kryetari i ri i kësaj shoqate, Iljas Haxhiraj falënderoi të gjithë delegatët që i dhanë votën dhe i besuan këtë mandat, teksa u shpreh se do t’i japë përparësi futbollit amator dhe futbollit të fëmijëve.
“E thashë edhe përpara delegatëve të Asamblesë, i falënderoj për besimin dhe mbështetjen që më dhanë dhe sfida ime në këtë post që më dhanë është që t’i jap sa më shumë përparësi futbollit amator dhe sfida tjetër është të krijohen sa më shumë kushte dhe garë sa më të drejtë dhe sa më të ndershme për fëmijët”, – u shpreh Haxhiraj.