Vendosni fjalën kyçe....

Inspektoriati Ndërtimor e Policia Bashkiake zbarkojnë në FSHF


Inspektoriati Ndërtimor e Policia Bashkiake kanë shkuar sot te Federata Shqiptare e Futbollit. Nuk dihet ende arsyeja e kësaj ‘vizite’ megjithatë ajo vjen mes një përplasjeje mes kreut të saj Duka e kryerbashkliakut të Tiranës, Veliaj.

Ky i fundit e ka cilësuar si betejë personale atë me kreun e FSHF-së Duka, të cilin e akuzon për korrupsion e vjedhje fondesh. Pak ditë më parë Veliaj tha se do kërkonte hetim kombëtar e ndërkombëtar ndaj Dukës e FSHF-së.

Po kështu ai kallëzoi në prokurori sekretarin e FSHF-së Ilir Shulku e atë të Shoqatës Tirana Ardian Haçi lidhur me zgjedhjet e para pak ditëve në shoqatë.

Ndërkohë Krimi Ekonomik në Policinë e Shtetit ka kallëzuar në prokurori kreun e FSHF-së Armando Duka, të cilin e akuzon për vjedhje fondesh e korrupsion. Duka nga ana e tij e ka cilësuar si ndërhyrje njësoj si në kohën e diktaturës atë të Veliaj.

FSHF-ja publikoi pak ditë më parë një audiopërgjim ku kryebashkiaku shfaqej duke përdorur fjalor banal e duke kërcënuar anëtarët e Shoqatës Tirana.

Dy ditë më parë në banesën e kreut të FSHF-së Duka u vu një sasi tritoli. Një ditë më pas policia ndaloi një person, Arlen Hasanajn i cili dyshohet si autori i vënies së lëndës eksplozive. Megjithatë në dëshminë e tij në polici, 34-vjeçari e ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen.