Vendosni fjalën kyçe....

Kontrabandonin refugjatë nga Lindja e Mesme në Itali, shkon në 19 numri i të arrestuarve nga operacioni ndërkombëtar “Astrolabio”


Ka shkuar në 19 numri i të arrestuarve nga aksioni ndërkombëtar policor i koduar “Astrolabio”.

Policia ka njoftuar se arrestoi sot në Vlorë shtetasin Klement Latifaj në kuadër të këtij operacioni.

Latifaj akuzohet për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Më herët, në vendin tonë janë arrestuar 18 persona, në kuadër të operacionit “ASTROLABIO”, i cili u zhvillua në sinkron me autoritetet gjyqësore dhe ato të zbatimit të ligjit shqiptare.

Pjesëtarët e grupit kriminale, pasi siguronin persona të ndryshëm, kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera, kundrejt një shpërblimi monetar që varionte nga 5000 deri në 10000 euro, i kontrabandonin ata në rrugë tokësore dhe detare nga njëri shtet në tjetrin, me destinacion përfundimtar vendet e BE-së.

NJOFTIMI

Vijon operacioni policor ndërkombëtar i koduar “ASTROLABIO”.

Shkon në 19 numri i të arrestuarve në Shqipëri, në kuadër të këtij operacioni.

Kapet në Vlorë, një prej të kërkuarve në kuadër të këtij operacioni.

Vihet në pranga K. L., për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Më herët, në Shqipëri janë arrestuar 18 persona, në kuadër të operacionit “ASTROLABIO”, i cili u zhvillua në sinkron me autoritetet gjyqësore dhe ato të zbatimit të ligjit shqiptare, italiane dhe greke, në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore (JIT), e krijuar midis Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, Seksionit Antimafia të Prokurorisë së Leçes, Itali, dhe të Prokurorisë së Përgjithshme të Apelit Athinë, Greqi, me koordinimin e EUROJUST (AJA) dhe ndihmën e EUROPOL-it.

Gjatë hetimeve të kryera nga Skuadra e Përbashkët Hetimore (JIT) është dokumentuar fakti se pjesëtarët e katër grupeve kriminale ushtronin në bashkëpunim ndërmjet tyre, aktivitetin kriminal të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e Jugut dhe në vijim drejt vendeve të tjera të BE-së. Pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale, pasi siguronin persona të ndryshëm, kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera, kundrejt një shpërblimi monetar që varionte nga 5000 deri në 10000 euro, i kontrabandonin ata në rrugë tokësore dhe detare, duke iu mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin, me destinacion përfundimtar vendet e BE-së.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. Materialet i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.