Vendosni fjalën kyçe....

Noka i përgjigjet Alibeajt: Është e qartë se çfarë kam komunikuar në SMS-të me Nikollën, unë s’bëj biseda për pallate te “5 Maji”e as për para inceneratorësh


Deputeti Flamur Noka i është përgjigjur akuzave të nënkryetarit të PD-së Enkelejd Alibeajt se bashkëpunon me kryeministrin Edi Rama për të goditur Partinë Demokratike, pas publikimit të mesazheve në “Whatsapp” që shkëmbeu ai me kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Noka shprehet se biseda që ai kishte me Nikollën ishte e qartë, e se ai nuk flet për pallate te 5 Maji apo para nga inceneratorët. Deputeti shton se shqiptarët e kanë parë parë në 17 Maj se kush bën pazare. Po ashtu ai paralajmëron se në ditët në vijim do të tregojë edhe pse dështoi komisioni i inceneratorëve dhe se kush përfitoi.

“Sot, Shoqata e Bravave nëpërmjet pengut të Kapllan Pallateve të 5 Majit paska cicëruar kundër meje.

Unë kurrë nuk kam bërë e as nuk bëj biseda për pallate tek 5 Maji a tjetërkund, dhe as për para inceneratorësh siç bën kreu i shoqatës me zëvendësen e tij, apo me media që ju bën fushatë atyre.

Unë kam komunikuar me Kryetaren e Kuvendit që t’i jepet fjala ish-Kryeministrit Berisha. SMS-ja e tregon qartë.  Ulsin lë ta pyesin se pse kam komunikuar. Nuk kam bërë pazare që të më fusë në punë gruan siç i ka kërkuar pengu i pallateve të 5 Majit.

Flamur Noka i ka kërkuar të rrijë larg pazareve Rama-Brava në Dibër. Ai mund t’jua thotë vetë ai pse debatuam.

Se kush bën pazare shqiptarët e kanë parë në 17 Maj. Milionat dhe karriget e ministrave nga Edi Rama i kanë marrë vetëm kllounët e shoqatës Basha – Bardhi ndërsa Flamur Noka bashkë me të gjithë demokratët e vërtetë kanë marrë burgjet e regjimit, gazin lotsjellës dhe 6 palë zgjedhje të humbura si faturë e pazareve Rama – Brava.

Ditët në vazhdim do të tregojnë se pse dështoi komisioni i inceneratorëve, kush përfitoi, e çfarë ndodhi në pazarin Rama-Brava.”– thuhet në njoftimin e Nokës.