Partia Demokratike ka postuar një video përgënjeshtruese pas deklaratave të Sali Berishës se nuk kanë qenë pranë banorëve të “5 Majit” dhe se po përfitojnë nga rindërtimi.
PD-ja në video ka nxjerrë deputetët e saj kur kanë qenë në lagjen 5 maji dhe kanë dënuar prishjen e shtëpive që preken nga projekti i rindërtimit.
Në postimin e saj PD-ja pyet se pse Berisha nuk thotë emrin e atij që po ndërton te 5 maji por përmend Agron Kapllanajn.
Sipas PD-së Berisha po gënjen për të fshehur lidhjet e familjarëve me trafikantin ndërtues.
“Sali Berisha gënjen pa u skuqur e pa u zverdhur. Kur deputetët e PD ishin pranë banorëve kur iu shembën shtëpitë, ku ishte Sali Berisha? Pse Sali Berisha po mbron përmes mashtrimit ndërtuesit e “5 Majit”? Pse ky njeri që merr nëpër gojë këdo nuk guxon as ti përmendë emrin atij që po ndërton vërtet atje? Pse mashtron shqiptarët duke gënjyer për anëtarin e kryesisë së PD Agron Kapllanaj? Sali Berisha mashtron dhe gënjen për të fshehur lidhjet e familjarëve të tij me trafikantin ndërtues.
PD ka bërë kallzim penal për të çuar para drejtësisë Erjon Veliajn për këtë aferë korruptivo-kriminale dhe ju kërkon organeve përkatësee të ndalin menjëherë projektin e pastrimit të parave të pista tek “5 maji”.
Kushdo me sy në ballë e mend në kokë e kupton tashmë se në Shqipëri ka vetëm një opozitë, që është PD. Rama dhe Berisha janë njësoj. Zgjidh Ramën dhe merr edhe Berishën. Zgjidh Berishën dhe merr Ramën”-shkruan PD.