Vendosni fjalën kyçe....

Protestë para parlamentit, banorët e Laprakës dhe ‘5 Majit’ kundërshtojnë prishjen e banesave


Dhjetëra qytetarë po zhvillojnë një protestë te hyrja e parlamentit teksa pas pak pritet të nisë seanca e kësaj jave. Janë dhjetëra banorë të ‘5 Majit’ dhe Laprakës të cilët kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre.

Në lagjen ‘5 Maji’ pritet të prishen qindra banesa për t’i hapur rrugën projektit të rindërtimit të pallateve që sipas bashkisë Tiranë do strehojnë familjet, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Një pjesë e fëmiljeve e kundërshtojnë projektin në fjalë duke e quajtur atë korruptiv. Ndërkohë në Laprakë pritet të prishen gjithashtu qindra banesa për të hapur rrugën e ndërtimit të Unazës së Madhe.

Sipas banorëve projekti ka ndryshuar disa herë për shkak të ndërhyrjeve nga politikanë e biznesmenë të ndryshëm dhe me ndryshimet e fundit preken banesat e tyre.

Banorët kërkojnë që të kenë informacion se çfarë do ndodhë me ta dhe që gjithëka të bëhet e qartë me anë të dokumenteve pasi deri tani nuk dinë asgjë se ku do shkojnë dhe kur do i përfitojnë shtëpitë e reja.