Vendosni fjalën kyçe....

“Basha ka vulën por s’ka legjitimitet” – Deklaratat e Ramës dhe Berishës mbrëmë në intervistat televizive


Mbrëmjen e kaluar në dy televizionet kombëtare “Top Channel” dhe “TV Klan” ishin të ftuar respektivisht kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha, dy rivalët e vjetër dhe aktualë në politikë.

Ndërsa të dy diskutuan mbi një sërë çështjesh ku kritikuan dhe sulmuan njëri-tjetrin, të dy ishin ama në të njëjtin qëndrim kundër kryedemokratit Lulzim Basha.

Rama: Nuk ka legjitimitet as Luli, as ai tjetri

Në një moment gjatë intervistës, gazetari Robert Rakipllari i tha kryeministrit Rama se ai rezulton antiamerikan pasi nuk njeh kush është opozita, Basha apo Berisha.

Rama tha se zyrtarisht njihet PD me kryetar Lulzim Bashën pasi u shpreh “vulën e ka Lulzimi”, por sipas tij nuk ka legjitimitet as njëri, as tjetri.

“Dola unë antiamerikan, çfarë amerikani të jem unë që në rreth 1900 karrige, ulen 5 mijë veta. E di atë të Loro Borici kur tha shiu ka punën e vet, ne kemi punën tonë. Të duket barcaletë se ke qenë i vogël.  Legjitimitet nuk ka as Luli as tjetri. Fakti që duan të shkojnë tek godina, tregojnë se nuk kanë legjitimitet. Për çfarë ishin dyert e blinduara? Të thërrisnin policinë.”- tha Rama.

“Dy të marrë”

Ndërsa po komentonte protestën e 8 Janarit të thirrur nga ish-kryeministri Berisha, Rama i quajti të dy të marrë.

“Policia ka qenë në ditën më të vështirë sepse nuk dinin se si të ndërhynte në një sherr që mund të përfundonte në gjak. Një palë tha nuk kishte derë të blinduar, tjetri tha që nuk kishte xham të thyer. Këta janë dy të marrë. Policia ka qenë në ditën më të vështirë dhe ka pasur ditën më të bukur se si veproi për mua.” – tha Rama.

Rama i përgjigjet Bashës për shpenzimet për fluturimet me charter

Një ditë më parë në Parlament, kryedemokrati Lulzim Basha e akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka shpenzuar 120-150 mijë euro karburant për një fluturim me charterin privat.

Kësaj akuze Rama iu përgjigj: “Thotë që ka ikur me charter privat 120 mijë euro. Ndërkohë që unë po ju them që shpenzimet e mia për fluturime janë më të ulëta se shpenzimet e të dyja opozitave. E dini çfarë janë 120 mijë euro karburant. Këtu hidhen shifra këtu dhe sa më e madhe shifra, aq më shumë rrotullohet miza.”

Parashikimi i Ramës: Meta në zgjedhjet e 6 marsit bashkë me Berishën

Rama tha se do të bënte një parashikim për zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen në 6 bashki. Ai u shpreh se ishte 100% i sigurt se presidenti Ilir Meta do të bëhej bashkë me Berishën për këto zgjedhje:“Të bëj një parashikim, ne në zgjedhje do të shkojmë me kandidatë normalë, njerëz normalë që do të shkojnë të ofrojnë një kandidaturë për punë, përballë do të kenë brava, do të kenë vare.

Dhe jam i bindur 100 për qind, 1000 për qind që do të futet edhe Ilir Meta. Mbajeni mend tani që nongrata do të bashkohet me Ilir Metën, Ilir Meta është edhe grata edhe nongrata dhe do të jenë të dy bashkë atje, brava, qysqi, trasta të mbledhur atje”.

Rama: Shpallja e Berishës non grata s’ka lidhje me Soros

Rama i cilëson si qesharake akuzat e Berishës se shpallja e tij non grata lidhet me miliarderin George Soros. Këtë kryeministri shqiptar e ka konsideruar thjesht konspiracion.

“Kim përfaqëson SHBA, një shtet jo vetëm që i ka vënë vijën e kuqe Saliut por çështja është që po sfidohet në mënyrë qesharake nga një njeri që ka eksperiencën që e di edhe ai vetë që s’ka lidhje me konspiracione Soros dhe Rama, sepse po të ishte kështu, të kishte kapacitete të tilla, përpara se ta korruptoja unë, do ta kishin korruptuar oborret mbretërore të Lindjes së Mesme.

Ku ka këtu DASH të marrë vendime se ndërhyri Soros, vendimet për ‘non grata’ merren me procese që zgjasin me vite, dhe ky proces ka nisur që prej administratës së kaluar. Mos kalimi i oqeanit dhe shpallja non grata janë dy shkallë të ndryshme. Është një ndarje shumë e thellë dhe është shumë e qartë që SHBA njohin PD që drejtohet nga Basha, ka vulën, firmën!”- tha Rama.

Berisha: Donald Lu më solli dosjen e Bashës në zyrë

Ish-kryeministri Sali Berisha ishte i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, ku ai deklaroi se ish-ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Donald Lu i ka dhënë atij dosjen “Muzin”, sipas të cilës kryedemokrati Lulzim Basha përfshihej në pastrimin e parave.

Berisha tha se kur dosja “Muzin” mbërriti në Tiranë, Basha u thirr për të dëshmuar dhe është kërcënuar se do të futej në burg nëse nuk largonte Berishën.

 “Dosja ‘Muzin’ i është dhënë raporti i huaj një gazetari dhe ai e ka bërë publike. Dosja nuk bazohet nga raporti. Ambasadori amerikan më solli mua dosjen. Donald Lu më solli dosjen, por ai pretendonte, për mua gabim, se ato ishin para ruse sepse që ta dini ju nga Skocia një kompani ishte blerë nga një skocezë por ishte krijuar nga dy rusë dhe ato ishin para ruse. atë nuk e besoja kurrë se mund të kishte shkuar deri aty çështja.”-tha Berisha.

Duke folur për dosjen, ai shtoi se: “Kishte një dokument të ministrisë së Drejtësisë për Nik Muzin që ishte përfaqësues i Bashës, lobist dhe kishte të ‘Mothers Jones’. Muzin kishte treguar vetëm këto. Ndërsa në dëshminë e dytë i tregoi të gjitha. Kur Prokuroria e Tiranës po e hetonte Bashën për larje parash kërkoi dëshminë e Muzin. Muzin kërkoi të vërtetën e dytë herën e dytë. Nuk kërkoi më të mbronte klientin, por i tregoi të gjitha, Prokuroria e mori vesh dhe u thirr Basha, Raporti, ose largo Berishën ose je këtu dhe atje në biruc.”

Berisha shpjegon grafikun, tregon popullaritetin mes tij dhe Bashës

Ish-kryeministri ka shpjeguar grafikuan e popullaritetit mes tij dhe kryedemorkatit Basha tek demokratët.

Ai mori shkopin dhe tregoi shifrat që sipas tij tregojnë se Basha ka popullaritet më të vogël se ai: “Shihe këtë këtu, 50% për Berishën dhe 4 % për Bashën. Shihni shqiptar se kush është opozita e vërteta. Ky grafik është historik se tregon opozitën e vërtetë. Lëre atë”.

Berisha: Të dielën primaret për votimin e kandidatëve

Berisha deklaroi se do të jetë pjesë e zgjedhjeve të pjesshme të 6 Marsit në disa nga bashkitë e vendit. Ai tha se kandidatët do të zgjidhen përmes votimit në primare, për të cilat njoftoi se do të mbahen këtë të dielë.

“Këto janë primare në kushte të veçanta. Nëse do ishte datë e zakonshme ti këtë e filloje 4 muaj përpara. Tani kemi 45 ditë kohë dhe ne kemi racionuar kohën dhe dita e dielë është përcaktuar primare për ata që duan të marrin pjesë në këtë garë dhe plotësojnë kriteret.”- tha ai.

Berisha tha se do të ketë kandidatë që do të habisin, por phoi se ende nuk është përcaktuar formula se si këta kandidatë do të dalin, nëse do të jenë si të pavarur apo në një formë tjetër.