Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Kushi mohoi mungesën e ngrohjes në shkolla, në Vlorë pezullohet mësimi


Pas një ndërprerjeje treditore të mësimit në fillim të javës për shkak të temperaturave të ulëta, mësimit në të gjitha shkollat e vendit ka rifilluar të enjten e djeshme.

Megjithatë në Vlorë mësimi është ndërprerë sërish për shkak të mungesës së sistemit ngrohës në një shkollë të mesme.

Edhe pse ministrja e Arsimit Kushi i mohoi në disa deklarata për mediat problemet me ngrohjen në shkolla, nxënësit e shkollës Pavarësia në Vlorë kanë pohuar se dje nuk kanë zhvilluar mësim për shkak të të ftohtit, shkruan Shqiptarja.

Nxënësit e shkollës së mesme industriale “Pavarësia” treguan për Report Tv se për shkak të temperaturave të ulëta dhe mungesës së ngrohjes nëpër klasa është pezulluar mësimi që në orën e parë.

“Dje që në orën e parë na nxorën na dhanë ikni se është ftohtë. sot jo shumë por dje nuk shtyhej atje. S’kemi fare ngrohje. Jam vit i parë dhe dje nga i ftohti nuk isha fare në shkollë”, ka pohuar një bnfga nxënësit.

Megjithatë nuk bëhet fjalë vetëm për shkollën Pavarësia për sa i përket mungesës së ngrohjes. Sipas Report Tv, nga 36 shkolla që ka gjithsej bashkia e Vlorës, vetëm në 6 prej tyre sigurohet ngrohje qendrore me kaldaja.

Teksa ministrja e Arsimit Kushi njoftonte dje rifillimin e mësimit në shkolla me një postim në Facebook, të shumtë ishin prindërit e nxënësve nga shkolla të ndryshme në Tiranë e qytete të tjera që ankoheshin për mungesën e ngrohjes në shkolla.