Vendosni fjalën kyçe....

Nënë Liza debate te Komisioni i Ligjeve me deputeten e PS-së: Duam drejtësi, Veliaj të vijë në shesh të burrave nëse është i tillë


Një nga banoret e zonës së ‘5 Majit’, Liza Marku apo siç thirret në zonë Nënë Liza, ka qenë sot në Komisionin e Ligjeve ku është diskutuar mbi prishjen e banesave dhe projektin e rindërtimit në zonë.

Ajo ka akuzuar kryebashkiakun e Tiranës Veliaj për mashtrim ndërsa ka kërkuar që ai të shkojë në zonë e të bisedojë me banorët që kanë shqetësimet e tyre lidhur me projektin.

Marku tha gjatë fjalës së saj se në vend nuk ka shtet pasi qytetarët po trajtohen në mënyrën më të keqe, po nxirren jashtë nga banesat me dhunë.

Ajo ka kërkuar që të dëmshpërblehet sipas ligjit dhe që t’i sigurohet shtëpi deri në marrjen e asaj që i takon.

Pjesë nga debati

Liza Marku: E kam ditur se do vdes, por se do vij këtu jo. Edhe po  të isha në gjak do më kishin vrarë një njeri dhe jo 13 vetë të familjes. Veliajt i kemi thënë të vijë dhe të na caktojë një datë e një ditë e një kontratë të rregullt se ku do  të marrim shtëpinë. Por s’ka pranuar të vijë.

Bashkisë i kemi bërë thirrje të vijë. Për të më gënjyer s’më gënjen as Veliaj as Rama. Ne duam shtëpi. Mos me e nxjerrë popullin jashtë. S’jemi serbë as në Afganistan. Çfarë po bëhet në këtë shtet, a ka ligje a ska ligje, a ka njerëz a s’ka njerëz ne nuk jemi duke i dhënë dum. Me i përdorur njerëzit sikur po i përdor shteti jonë, me i nxjerr jashtë. Unë ende fle në rrënoja. 3 kate shtëpi sot janë kasolla.

Deputetja e PS, Bushka: Zonja Liza që t’ju dëgjojmë na flisni për problemin tuaj që t’ju dëgjojmë.

Liza Marku: Kush  është një prej jush që e jep shtëpinë. Ne duam drejtësi. Shtet s’ka, gjykatë s’ka. Ne s’kemi qenë çobanë, kemi qenë familjarë të rregullt, me taksa. Unë ia dua metrat shtetit një më një. Të bëjë një shtet kështu,një kryetar bashkie që të mos pranojë të vijë të ballafaqohet. Unë i kam marrë te komshinjtë rrobat. Turpi i botës për shtetin shqiptar. Ne kujtojmë se jemi duke hyrë në Evropë, por jemi duke hyrë në gropë me këtë shtet. Ne kërkojmë kryetarin e bashkisë të vijë këtu, se te populli s’vjen se ka frikë se e vret kush. Ku do shkojmë ne. Kryetari i bashkisë nëse është burrë të vijë në shesh të burrave.

Deputetja e PS, Bushka: Nëna Liza ke ardhur për politikë apo për hallin tënd. Të ngelemi te shqetësimi që keni.

Liza Marku: Prit, prit, unë dua kontratën e rregullt. Unë do rri të vdes në rrënoja dhe s’dal nga shtëpia. Mos t’u vijë keq fare, unë jam malësore dhe s’trembem as prej teje. 16 me 9 e kam tensionin tani. Duro njëherë, kryesorja se je grua. Unë i kërkoj kryetarit të bashkisë kontratën e rregullt, me vulë dhe formë.