Presidenti i vendit Ilir Meta në një deklaratë për mediet ka akuzuar qeverinë se po fsheh borxhin publik. Ai i bëri thirrje qeverisë të kthejë sa më parë borxhin ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto në një rrugë rënëse, pasi në të kundërt sipas tij, vendi do të përballet me një krizë serioze.
“Kjo dalje ka të bëjë me shqetësimet e vazhdueshme gjatë këtyre viteve nga unë si president, lidhur me përkeqësimin e situatës me borxhin dhe mungesën e transparencës lidhur me llogaritjen e tij të saktë.
Objektivi kryesor i politikës ekonomike duhet të jetë kthimi sa më parë i raportit të borxhit ndaj PBB në një rrugë rënëse, përndryshe niveli i borxhit në vitet në vazhdim do shkaktojë një krizë serioze, duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë e financave publike. Edhe ligji i buxhetit për 2022 nuk bëri transparent nivelin real të borxhit të 2021, si dhe një vlerësim të të gjitha risqeve dhe mbi këtë bazë marrjen e masave parandaluese për uljen e tij.
KLSH vlerëson se stoku i borxhit të raportuar për vitin 2020, që mbartet te 2021, paraqitet i nënvlerësuar. Në llogaritjen e stokut të borxhit për 2021 do duhej të paraqiteshin të gjitha borxhet e prapambetura. Vlera reale e borxhit në fund të vitit 2021 mund të llogaritet më shumë se 84% të PBB. Këtu nuk janë përfshirë detyrimet e reja, detyrimet e nënhuasë, risku në rritje i portofolit të PPP me mbështetje buxhetore, risku i normave të interesit, që vazhdon të jetë i konsiderueshëm, risku i zgjatjes së situatës pandemike.
Projektet e PPP i kanë lejuar qeverisë të ndërmarrë investime të reja klienteliste, me një rritje të menjëhershme të borxhit, por aty janë ato, për t’u paguar nga qytetarët. Angazhimet financiare do të ndikojnë në qëndrueshmërinë e financave publike, duke shtuar rreziqet fiskale. Maturimi i borxhit, raportet e borxhit të jashtëm, marrëdhëniet mes borxhit dhe të ardhurave tatimore, etj, janë tregues shumë të rëndësishëm për të vlerësuar qëndrueshmërinë e borxhit.”- tha Meta.
Meta i bëri thirrje Kuvendit dhe institucioneve që merren me këtë sektor, të bëjnë publik borxhin real që ka shteti shqiptar. Sipas tij marrja e huave s’do na shpëtonte nga borxhi publik.
“Shpenzimet për interesat e borxhit, janë përkeqësuar. Shqipëria ka nivelin më të lartë në rajon. Niveli i borxhit është rritur në 8 vite, mbi 53%. Shërbimi i borxhit është rritur nga 4,6% në 6.11% në vitin 2020. Raporti i Borxhit publik është 2.96 % për Shqipërinë dhe 2.47 për Malin e Zi.
Pra kuptohet se duhet të ishte e kundërta, ne vazhdojmë përkeqësohemi në këtë drejtim. Më pak të ardhura, më pak mundësi për të përmirësuar raportin me borxhin publik. Ka më shumë korrupsion këtu. Patë dhe raportin e fundit, që është rritur korrupsioni. Edhe borxh për të paguar borxhet nuk mjafton më! Ulja e borxhit do të kërkonte ulje të rritjes ekonomike dhe kërkohet luftë serioze kundër korrupsionit. Do të kërkonte mosmiratim të PPP-ve.
Duke vlerësuar situatën kritike në të cilën ka arritur borxhi publik, për të parandaluar një humnerë financiare dhe drama, kërkoj nga Kuvendi dhe institucionet financiare të huaja dhe të vendit, që të bëjnë transparencë me borxhin, të nivelit aktual dhe atyre të pritshëm. Duhet bërë një analizë e përkeqësimit të parametrave marko-ekonomike. Shpresoj që aktorët të marrim më seriozisht çështjen e borxheve.”- tha Meta.