Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti ukrainas kritikon politikanët e mediat perëndimore: S’kemi nevojë për panikun që po përhapni


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kritikuar mbulimin ‘pak të çekuilibruar’ të gjendjes së vendit të tij nga disa politikanë dhe media perëndimore. Ai po fliste me gazetarët e huaj gjatë një konference për shtyp të premten.

Ish-aktori theksoi veçanërisht shqetësimet e tij në lidhje me mbulimin e shtypit dhe deklaratat politike, në lidhje me një rritje të madhe trupash ushtarake ruse pranë kufirit të vendit të tij.

“Sot nuk po shohim ndonjë përshkallëzim më të madh se sa ka qenë më parë. Po, numri i ushtarakëve është rritur, por unë fola për këtë në fillim të vitit 2021 kur fola për stërvitjet ushtarake të Federatës Ruse”, tha Zelensky.

“Nga mbulimi mediatik, duket sikur jemi tashmë në luftë, se trupat janë tashmë në rrugë, se ka mobilizim, njerëzit shkojnë diku. Nuk është kështu. Ne nuk kemi nevojë për këtë panik.”

Mbingarkesa e tensioneve rreth Ukrainës ka pasur tashmë një ndikim të rëndë në ekonominë e saj, këmbënguli Zelensky. Miliarda janë tërhequr nga vendi kohët e fundit, shtoi ai, pa specifikuar nëse i referohej monedhës vendase Grivna, apo atyre të vendeve të huaja.