Presidenti i SHBA-ve Joe Biden ka paralajmëruar se ekziston një “mundësi e veçantë” që Rusia mund të pushtojë Ukrainën muajin e ardhshëm.
Rusia ndërkohë thotë se sheh “pak terren për optimizëm” në zgjidhjen e krizës pasi SHBA hodhi poshtë kërkesat kryesore të Kremlinit.
Grumbullimi i dhjetëra mijëra trupave ruse në kufijtë e Ukrainës në javët e fundit ka ngjallur frikën e një pushtimi. Por Rusia mohon se po planifikon një sulm.
Presidenti amerikan i bëri komentet në një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të enjten.
“Presidenti Biden tha se ekziston një mundësi e qartë që rusët mund të pushtojnë Ukrainën në shkurt.”– tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Emily Horne, citon BBC. “Këtë e ka thënë publikisht dhe për këtë kemi paralajmëruar me muaj të tërë”.
Gjatë bisedës së tyre, Presidenti Biden “ripohoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara së bashku me aleatët dhe partnerët e saj për t’u përgjigjur me vendosmëri nëse Rusia pushton më tej Ukrainën.”– thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.
Zelensky tha se ata “diskutuan përpjekjet e fundit diplomatike për de-përshkallëzimin dhe ranë dakord për veprime të përbashkëta për të ardhmen”.
Disa ekspertë ushtarakë sugjerojnë se Rusia mund të presë që toka në Ukrainë të ngrijë në mënyrë që ata të mund të lëvizin me pajisje të rënda. Një tjetër telefonatë e rëndësishme do të bëhet të premten, kur presidenti francez Emmanuel Macron do të flasë drejtpërdrejt me Vladimir Putinin e Rusisë.