Vendosni fjalën kyçe....

Von der Leyen shkëmbeu mesazhe me kreun e Pfizer po s’i publikoi, kritikohet se mbajti sekret marrëveshjen për vaksinat


Komisioni Evropian është akuzuar për ‘keqadministrim’ nga një mbikëqyrës i BE-së pasi kundërshtoi të publikonte mesazhet me tekst që presidentja e tij, Ursula von der Leyen, i dërgoi CEO-së së kompanisë Pfizer Albert Bourla vitin e kaluar gjatë negociatave për arritjen e një marrëveshjeje për vaksinën Covid-19.

Një hetim nga Avokatja e Popullit, Emily O’Reilly të premten kritikoi organin ekzekutiv të BE-së për dështimin për t’i kërkuar zyrës së von der Leyen të publikonte tekstet. Diskutimet mendohet se kanë ndihmuar në sigurimin e rreth 1.8 miliardë dozave të vaksinës Pfizer për bllokun.

Prillin e kaluar, von der Leyen zbuloi se ajo kishte shkëmbyer mesazhe dhe telefonata me Bourla për një muaj gjatë negociatave.

Megjithatë, komisioni më vonë iu përgjigj kërkesës për akses publik të një gazetari për mesazhet duke pretenduar se nuk mbante një regjistrim të teksteve dhe kishte vetëm një email, një letër dhe një deklaratë për shtyp mbi këtë temë.

Gjatë hetimit, doli se komisioni i kishte kërkuar zyrës së presidentit që të kërkonte ‘dokumente’ që përmbushin kriteret e tij të brendshme për regjistrim. Organi kishte argumentuar se ‘politika e tij e mbajtjes së të dhënave në parim përjashtonte mesazhet e çastit’.

Ai i tha hetimit se ‘deri më sot, nuk ka regjistruar asnjë mesazh me tekst në sistemin e tij të menaxhimit të dokumenteve’.

“Mënyra e ngushtë në të cilën u trajtua kjo kërkesë për akses publik nënkupton që nuk u bë asnjë përpjekje për të identifikuar nëse ekzistonte ndonjë mesazh me tekst. Kjo bie poshtë pritshmërive të arsyeshme të transparencës dhe standardeve administrative në Komision.” – tha O’Reilly.