Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç akuzon OJQ-të perëndimore për përpjekje për rrëzimin e qeverisë


Presidenti serb Vuçiç pohoi akuzat e bëra nga kryeministrja e vendit duke thënë se ata që kishin siguruar fondet për demonstratat përmes OJQ-ve të ndryshme, kishin kërkuar të dëmtonin administratën e tij.

“Ato fondacione të huaja po ndihmojnë për të rrëzuar qeverinë në Serbi,” tha ai në një intervistë për mediat lokale.

“Këto protesta nuk kanë të bëjnë fare me mjedisin.”

Vuçiç po i referohej planeve të konglomeratit të kompanisë minerare anglo-australiane ‘Rio Tinto’ për të ndërtuar një minierë litiumi pranë qytetit të Loznicës, në Serbinë perëndimore.

Organizatat mjedisore kishin organizuar një sërë protestash masive kundër minierës që nga nëntori, duke mbyllur autostradat kryesore dhe duke ushtruar presion mbi qeverinë. Javën e kaluar, ata siguruan një fitore, kur kryeministrja Ana Brnabiç njoftoi se projekti do anulohej.

Teksa njoftoi ndryshimin e planeve të enjten, Brnabiç denoncoi organizatorët e protestës. Ajo i akuzoi ata se kishin marrë para për aktivitetet e tyre nga financues të huaj, të cilët i quajti hipokritë.

Shumica e financimit, pretendoi ajo, kishte ardhur nga SHBA, Britania e Madhe, Gjermania dhe Austria nëpërmjet organizatave jofitimprurëse si Fondacioni Rockefeller, USAID, Fondacioni Ëestminster për Demokraci, Këshilli Britanik dhe Fondacioni Heinrich Böll.

SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania i hodhën poshtë akuzat, duke thënë se pretendimet e Brnabiçit ishin ‘të dëmshme’ dhe nuk ‘reflektonin partneritetin tonë me Serbinë’.

Të tre kombet thanë në një deklaratë të përbashkët të premten se ata kishin qenë ‘ndër partnerët dhe miqtë më bujarë dhe më të besueshëm, duke ofruar fonde asistence në shumën mbi 3 miliardë euro ‘.

Ata mohuan të kenë pasur gisht në ‘financimin ose drejtimin e veprimeve që synojnë në mënyrë specifike qeverinë serbe ose ndonjë nga politikat e saj’, duke përfshirë sigurimin e fondeve për protesta.

Në një intervistë të shtunën, Vuçiç tha se kryeministrja kishte luftuar për mirëqenien e popullit serb duke mbështetur projektin e minierës së litiumit. Në fund, qeverisë iu desh të dorëzohej ndaj kërkesave të popullit, tha ai.