Kreu i PD-së Basha ka thënë se në parti kanë filluar të rikthehen figura që janë larguar dikur.
Në një intervistë për rubrikën ‘Kjo Javë’ në News24, kryedemokrati tha se personat e larguar po rikthehen sapo kanë vërejtur se nuk ekziston më Berishizmi si mentalitet i përjashtimit të mendimit ndryshe.
“Në momentin që është kuptuar qartë që pengesa kryesore që i bashkonte dikur dhe pastaj i bënte të largoheshin nuk ekziston më, Berishizmi si mentalitet i përjashtimit ndryshe, i linçimit të mendimit ndryshe, i unit si strumbullar. Sigurisht do të duhet më shumë përpjekje, do të duhet më shumë investim nga unë i pari dhe nga bashkëpuntorët e mi, por ndërkohë mund t’jua raportoj me fakte, me shumë kënaqesi se shumë prej personave që e kanë veten e tyre larg Partisë Demokratike apo janë larguar pikërisht nga ato fenomene tashme kanë nisur të afrohen, të shprehin interesin e tyre, të shprehin dëshiren e tyre për të kontribuar. Janë emra të njohur për publikun qoftë në kuptimin politikë të fjalës por edhe në kuptimin që përfaqësojnë shoqërinë në rrafshin ku veprojnë.” – tha Basha.
Ai shtoi më tej se PD shkon më e pastër dhe më e çliruar se kurrë në zgjedhjet e 6 marsit. Megjithatë ai parlajmëroi se trekëndëshi i Bermudës ka projektuar me diabolizëm legjitimimin e partisë non-grata.
“25 Prillin e pamë, faktorët në veprim janë të njëjtët akoma. Pra ky është një test tjetër për Edi Ramën, por tashmë edhe për trekëndshin e Bermudës ndërkohë që PD shkon më e çliruar se kurrë, më e pastër se kurrë, t’ju çojë alternativën më të mirë qytetarëve. Megjithatë siç e thashë, 6 marsi është projektuar me diabolizëm si një anomali për të ligjetimuar partinë e non-gratas, trekëndëshin e Bermudës, ndërkohë që PD është e vendosur që pavarësisht të gjitha këtyre, të bëjë gjithçka që t’ju japë shqiptarëve alternativën më të mirë. Edhe pse asgjë s’ka ndryshuar nga 25 Prilli, është një konfirmim tjetër se ne jemi rruga drejt së ardhmes.” – shtoi Basha.