Vendosni fjalën kyçe....

Me kallashnikov e municion, arrestohet 44-vjeçari në Elbasan


Policia e Elbasanit zhvilloi operacionin e koduar “Kral”, për goditjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo i mbajnë në banesë pa leje.

Nga operacioni u arrestua një 44 vjeçar të cilit iu kap një armë zjarri kallashnikov, një pushkë sportive me dylbi, municion luftarak e sende të tjera të kundraligjshme.

Në pranga ra shtetasi G.D., 44 vjeç, banues në lagjen “Visarion Xhuvani” Elbasan.

Gjatë kontrollit të banesës së 44 vjeçarit, gjetën e sekuestruan një armë zjarri kallashnikov, një pushkë sportive me dylbi, rreth 500 copë fishekë luftarak për pistoletë, kallashnikov e mitraloz, një përforcues grushti, një thikë dhe 7 karikatorë.

Provat e mësipërme janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë për t’u ekzaminuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Gjithashtu po vazhdon puna për dokumentimin e mëtejshëm ligjor të kësaj ngjarje dhe të aktivitetit kriminal të këtij shtetasi nëse është i implikuar në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme hetimore Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta“-njofton policia.