Një 48-vjeçar në Tiranë është arrestuar pas shqetësimeve të banorëve të raportuara në polici se qëllonte me armë në ajër.
Policia gjeti në shtëpinë e shtetasit A.G 4 pistoleta sportive me fishekë manovër që përdoren edhe si armë zjarri dhe një shotgun me shënjestër optike.
“Qëllonte në ajër me pistoletë sportive me fishekë manovër duke terrorizuar banorët, ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, çon në pranga 48 vjeçarin.
Policia gjen e sekuestron 4 pistoleta sportive që përdoren me fishekë manovër dhe përshtaten dhe si armë zjarri, si dhe një shotgun me shënjestër optike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë, pas marrjes së njoftimit nga banorët se në Kodrën e Prifitit, kishte të shtëna me armë zjarri, menjëherë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë.
Nga verifikimet e shpejta dhe bashkëpunimi me qytetarët u bë e mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë për veprat penale të “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prishja e qetësisë publike”, i shtetasit: A. G., 48 vjeç, banues në lagjen “Kodra e Priftit”.
Gjatë kontrollit në banesën e 48-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 pistoleta sportive të llojeve dhe markave të ndryshme që përshtaten edhe si armë zjarri si dhe një shotgun me shënjestër optike, pa lejen përkatëse.
Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 6 gëzhoja që ky shtetas kishte qëlluar me fishekë manovër, duke terrorizuar banorët.
Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.