Vendosni fjalën kyçe....

Rindërtimi në Kombinat e propaganda Rama-Veliaj


Nga Grupimi për Kombinatin

A është e mundshme rindërtimi i pallateve në të njëjtin vend?

Shumë kombinatas kështu duan! Por ka edhe shumë të tjerë, që kanë ngrënë propagandën e Rama-Veliaj se rindërtimi i pallateve në të njëjtin vend nuk është i mundshëm dhe e kanë pranuar shpërnguljen me imponim që Rama-Veliaj duan t’ju bëjnë kombinatasve si diçka të pashmangshme!!!

Kjo duket në heshtjen e tyre. Do t’ua kuptoja “frikën” e tyre se “me qeverinë nuk luftohet”, se efekti i Enver Hoxhës nuk shkulet kollaj nga koka. Por nuk arrij të kuptoj pse nuk e kanë ngritur njëherë zërin t’u kërkojnë Ramës, Veliaj, Ballukut rindërtimin  në të njëjtin vend të pallateve të tyre!!!

Rama-Veliaj dhe lakejtë e tyre nuk kanë reshtur së bombarduari kombinatasit me idenë se “ja, rindërtimi i pallateve do të bëhet po në Kombinat, ja aty, prapa Bashkisë”! Por Rama dhe Veliaj as nuk e kanë vrarë mendjen se sa të vërteta janë arsyet që kanë dhënë për mos rindërtimin e pallateve në të njëjtin vend në Kombinat. Në vend të thënies së arsyes së vërtetë – planit të tyre për të vjedhur pronën e Kombinatasve mu në zemër të Kombinatit – ata kanë ndjekur 2 taktika.

Njëra taktikë është ajo e “testimit paraprak të pulsit.” Dmth të hedhjes në qarkullim tek njerëzit, përmes administratës, militantëve rilindas, apo  patronazhistëve, ide apo plane që mund të tingëllojnë “heretike” herën e parë por që duke i përsëritur gjithnjë e më shumë, njerëzve nuk iu duken më aq heretike. Taktika e dytë ajo e “justifikimit të veprimit.” Dmth të nxjerrjes së disa arsyeve të “pakundërshtueshme” dot nga njerzit.   

Ndaj le të shohim pak 5 prej arsyeve që Veliaj dhe shërbëtorët e tij kanë hedhur në qarkullim si justifikim për mosrindërtimin e pallateve në të njëjtin vend. 

“JUSTIFIKIMI” 1 – “NUK MBAN TOKA, SE KA UJË POSHTË”.

Kështu u thoshte njerëzve Adriatik – adminstratori i Njësisë 6 meqë na merrnin për budallenj, frikacakë, naivë. Por kjo arsye nuk justifikon mosndërtimin e pallateve në të njëjtin vend për të paktën 3 arsye:

Së pari, mosndërtimi në të njëjtin vënd nuk justifikohet nisur nga ajo që dimë për strukturën gjeologjike të tokës në Kombinat. Para se të ndërtohej Kombinati Tekstil, pjesa më e madhe e fushës së urbanizuar, që sot njihet thjesht me emrin “kombinat” ka qënë kënetë. Këtë gjë mund ta dëshmojnë fare mirë ata që në vitet 40-50 kanë qënë 15-20 vjeçarë, nëse sot ka ndonjë të mbetur ende gjallë.

Prandaj, sovjetikët, para së të ndërtonin Kombinatin kanë bërë studimin gjeologjik të zonës. Dhe vendosën ku do të ndërtohej pjesa e qytezës dhe ku ajo e Kombinatit Tekstil. Studimi gjeologjik i terrenit iu tha atyre se ujërat nëntokësore “rridhnin” nga kodrat në drejtim të fushës. Ndaj vendimet që morën sovjetikët ishin katër:

1) ta ndërtonin qytezën përsipër rrugës kryesore LLazi Miho. Sepse kjo pjesë terreni në zonën e Kombinatit, është edhe më e “shëndosha” për arsyen e thjesht se ujërat drenazhohen vetvetiu poshtë!!! 

2) të ndërtonin ndërtesa 2-3 katëshe, jo edhe aq se nuk mbante toka, por sepse ndërtesat me këtë lartësi i plotësonin fare mire nevojat e strehimit për atë kohë. Para se të ndërtohej Kombinati, të vetmit banorë të zonës ishin ata të Sharrës. Nuk egzistonin as varrezat e Sharrës. Nga shtëpitë e tyre në majë të kodrës, ata mund të hidhnin vështrimin e tyre, pa asnjë pengesë, tutje-tëhu, dhe të shihnin nga kodra e tyre e deri aty ku kalon autostrada sot apo edhe tek zona e Astirit vetëm fushë dhe kënetë. Ndërtesat e para u ndërtuan 2-katëshe sepse ato u destinuan, siç e kujton mirë Kujtim Serjani, për të strehuar inxhinjerët sovjetikë. Vetëm pasi u ndërtua Kombinati, u prishëm marrëdhëniet me sovjetikët, dhe u larguan inxhinierët dhe teknikët sovjetikë që vunë kombinatin në punë, vetëm atëhere 2-katëshet sovjetike u mbushën me familje shqiptare.

3) të ndërtonin Kombinatin Tekstil poshtë rrugës Llazi Miho. Kjo gjë u vendos jo vetëm për shkak të madhësisë si sipërfaqe që kërkonte Kombinati dhe Fabrikat e tij përbërëse, porse edhe menaxhimi i “lagështirës” së nëntokës në terrenin poshtë rrugës Llazi Miho ishtë më i kollajtë. Fabrikat do ishin Ndërtesa-Karabina me volum krejt të ndryshëm ndërtimor nga ato të pallateve të banimit.

Kësisoj, edhe “rrënjët” mbajtëse të kollonave të ndërtesave ishte më e kollajtë t’i “zhysnin” sa më thellë në tokë. Shkatërrimi që iu bë kohëve të fundit mbeturinave të karabinasë së një fabrike në TEC-i, nga kompania që ka filluar të ndërtojë ndërtesa aty, nxorri në dritë formën piramidale të “themeleve” të kollonave mbajtëse të strukturave voluminoze. Nuk është çudi që punonjësit e kompanisë shkatërruese të kontraktuar nga Veliaj tek TEC-i, të jenë mahnitur me punën e rusëve 70 vite më parë.

4)  të hapnin një kanal “drenazhues” që do të rregullonte grumbullimin dhe drejtimin e ujërave.                    

Shkurt, Rama-Veliaj, që kurrsesi nuk janë më të mençur se sovjetikët, thonë një gënjeshtër kur e justifikojnë mos-ndërtimin e pallateve në të njëjtin vënd me arsyen “nuk mban toka, se ka ujë”!!! Nëse mbajmë parasysh atë që kanë bërë sovjetikët, po të jetë për ujë,  më shumë ujë ka poshtë në tokën ku Rama-Veliaj duan të ndërtojnë dhe shpërngulin kombinatasit sesa në zemrën origjinale të Kombinatit!!!

Së dyti, mosndërtimi në të njëjtin vend, nuk justifikohet nga përparimi që ka pësuar teknologjia e ndërtimit. Sot teknologjia e ndërtimit të ndërtesave, është sofistikuar kaq shumë, saqë përbërja gjeologjike e terrenit mbi të cilin vendoset të ngrihet nuk përbën më një pengesë të pakapërcyeshme.

Në kohën kur rusët ndërtuan qytezën e Kombinatit, ata përdorën thjesht teknikën e muraturës me shirit betoni. Pra ndërtimi i pallateve 2-katëshe u bazua në mure me tulla të kuqe, që lidheshin fort dhe garantonin qëndrueshmëri dhe shirita betoni midis kateve.

Këtë teknikë e ndoqi më vonë edhe Enver Hoxha në ndërtimin e pallateve me tulla silikate jo vetëm në Kombinat, por në gjithë Tiranën, jo vetëm në pallate të ndërtuara nga Ndërmarrja e Ndërtimit 21 Dhjetori, por edhe në pallatet e ndërtuara me kontribut vullnetar. Në kohën e sotme teknika e ndërtimit të ndërtesave ka ndryshuar kryekëput.

Jo vetëm se tani ndërtesa ndërtohet më së pari “si karabina”, por edhe se vetë ndërtimi i ndërtesave nuk bazohet më vetëm në tullën, llaçin, gëlqeren, dhe betonin, por ka përfshirë përdorimin në masë të shufrave të hekurit, kapriatave, strukturave të varura, xhamit special dhe elementëve të tjerë që e bëjnë ndërtesën e sotme jo vetëm të duket moderne, por edhe të ketë nivel më të lartë sigurie.

Në kohën e Enver Hoxhës, ndërtimi filloi të “përqafonte” teknikat e reja vetëm andej nga vitet 80-90. Në fillim me teknikën e “parafabrikateve”, pallateve që u ndërtuan në territorin e ish-Varrit të Bamit, dhe më pas edhe me atë të “karabinasë, pallatet 9 katëshe tek ish-Rruga e barrikadave”. Është e qartë që Enver Hoxha, i ka lënë Tiranës për trashëgimi një “bombë” urbanistike – pallate të vjetra, me tulla silikate, të pasuvatuara nga jashtë, të pamirëmbajtura, me apartamente furrik, dhe lartësi 4-5 katëshe.

Por marrja me këtë bombë, është histori për një herë tjetër. Ajo që vlen për rastin tonë të rindërtimit në Kombinat, nën dritën e zhvillimit të teknologjisë së ndërtimit është kjo: Edhe sikur të jetë e vërtetë që struktura gjeologjike e zemrës aktuale të Kombinatit të jetë “problematike”, të mbajë ujë, e të tjera e të tjera, teknikat e sotme të ndërtimit as që do të kishin fare problem të “kapërcenin” një problem të tillë.

Shembuj??? Mjafton t’ju përmënd Hotel Camelia, përtej Shkëmbit të Kavajës, 30 katëshin që është ngritur mu në buzë të bregut të detit. Pyetja e kombinatasve për Ramën dhe Veliajn është kjo: Nëse mu buzë bregut të detit paska qenë e mundur të ngrihet një ndërtesë monstër 30-katëshe, që madje i rezistoi edhe tërmetit 9-ballësh të 26 Nëntorit 2019, si qenka e pamundur për ju të rindërtokeni pallatet e Kombinatasve sepse nuk mbaka toka???

Së treti, mosndërtimi në të njëjtin vend nuk justifikohet nga vetë ndërtimet që janë bërë në Kombinat. Çfarë shpjegimi kanë Rama-Veliaj për Kombinatasit nëse pretendojnë se nuk mban toka, kur vetëm 50 metra më tutje zemrës së Kombinatit ku Rama-Veliaj kanë prishur 124 pallate, mu tek Kompleksi Bushi ngrihet pallati 12 katësh???

Toka mbi të cilën ai ngrihet, nuk qenka me ujë? Apo si??? Merr ndërtesën e Shkollës 8-vjeçare 8 Nëntori/Lasgush Poradeci. A nuk u rindërtua shkolla e re mbi rrënojat e mureve të shembura, dhe themeleve të nxjerra në shesh?

Nëse shkolla u rindërtua mbi rrënojat e ndërtesës së vjetër, përse nuk qenka e mundur t’i ndërtosh pallatet e reja mbi rrënojat dhe themelet e pallateve të vjetra të Enver Hoxhës që tashmë janë prishur? Dhe e fundit: Nëse toka në zemrën e Kombinatit paska probleme, përse Erjon Veliaj ka dhënë lejen që të ndërtohet një pallat ngjitur me Supermarket Big dhe pallatin 12 katësh tek Kompleksi Bushi?                         

Shkurt: Justifikimi për mosndërtimin e pallateve të shembura në të njëjtin vend, me pretendimin se “nuk mban toka” është gënjeshtër e pastër.

Sot po ndalem këtu. Në shkrimet e tjera do të demaskojmë një pas një edhe 4 justifikime të tjera:

1) se “RINDËRTIMI NË TË NJËTIN VËND KUSHTON SHUMË MË SHTRENJTË SESA NDËRTIMI “ATJE”.

2) se “KA INTERES PUBLIK – SIPËRFAQJA DO TË BËHET LULISHTE”

3) se “QËNDRA E KOMBINATIT DO TË ZHVENDOSET TEK KOMBI-ARTI”    

4) se “PRONA DHE APARTAMENTET DO TË KENË VLERË MË TË LARTË ATY SESA KËTO KU JANË AKTUALISHT”