Në rishikimin më të fundit të saj (28 Janar, 2022), agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s (S&P) konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B+” si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”, bëri të ditur Ministria e Financave në një njoftim për shtyp.
Agjencia vlerëson se rritja reale do të mbetet solide gjatë viteve të ardhshme, mesatarisht 3.5-4.3 përqind, e mbështetur fort nga konsumi i familjeve, investimet në infrastrukturë dhe ringritja në turizëm;
Agjencia pret që deficiti fiskal do të ulet në periudhën afatmesme, duke sjellë si rezultat rënie të borxhit të qeverisë në raport me PBB-në presion.
Gjithashtu vlerëson se presioni i jashtëm do të jetë i menaxhueshëm duke pasur parasysh se rezervat valutore të vendit mbeten të larta dhe borxhi i jashtëm rritet vetëm në mënyrë të moderuar, duke mbështetur edhe stabilitetin e kursit të këmbimit gjatë viteve të ardhshme.
Vlerësimi i agjencisë mbështetet nga perspektiva rritjes ekonomike të Shqipërisë, regjimi relativisht fleksibël i kursit të këmbimit dhe rezervat e forta valutore.
Megjithëse konsolidimi fiskal ka të ngjarë të ngadalësohet, ne besojmë se deficiti i qeverisë do të ngushtohet në vitet e ardhshme.
Agjencia vlerëson se rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë në vitin 2021 ishte jashtëzakonisht e fortë dhe pret që ritmet reale të rritjes për këtë vit të jenë 8.5-9.0 përqind në terma realë.
Ndërkohë, duke pasur parasysh normën e ulët të kursimeve në ekonomi, agjencia beson se reformat e duhura në përmirësimin e klimës së biznesit dhe tërheqjen e flukseve hyrëse të investimeve të huaja do të jenë kritike që Shqipëria të mbajë një ritëm më të lartë të konvergjencës së të ardhurave me homologët e rajonit dhe me eurozonën.
Agjencia konstaton se, krahas përpjekjeve për të forcuar balancën fiskale, autoritetet po vijojnë në mënyrë aktive përpjekjet për të përmirësuar profilin e borxhit publik, përfundon njoftimi i financave.