Ish-presidenti Donald Trump u filmua duke u thënë miqve teksa luante golf se ai do të jetë presidenti i “45-të dhe i 47-të” i Shteteve të Bashkuara. Trump, i cili thotë se Joe Biden e mundi atë me mashtrim në vitin 2020, nuk e ka shpallur ende zyrtarisht kandidaturën e tij për vitin 2024.
Një video që po qarkullon në mediat sociale tregohet Trump duke u përgatitur për të bërë një goditje teksa luan golf, i veshur me kapelën e tij të kuqe ‘Make America Great Again’.
“Së pari, presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara”, thotë një nga partnerët e tij, të cilit Trump i përgjigjet “i 45-ti dhe i 47-ti”, duke u brohoritur më pas nga grupi.
Që nga largimi nga Shtëpia e Bardhë janarin e kaluar, Trump ka këmbëngulur se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, të cilat ai i humbi ndaj demokratit Joe Biden, ishin të manipuluara.
Megjithëse ai është ndaluar nga çdo platformë kryesore e mediave sociale, Trump ka vazhduar të komentojë politikën amerikane përmes njoftimeve për shtyp dhe intervistave në media dhe ka mbajtur disa tubime të ngjashme me muajt e fundit të fushatës në vitin 2020, gjatë të cilave ai vazhdimisht ka lënë të kuptohet për një rikthim të planifikuar në 2024.