Vendosni fjalën kyçe....

Afera 128 milionë euro e inceneratorit të Tiranës, 13 shkelje ligjore në njoftimin e kontratës


Inceneratori i Tiranës tashmë është segmenti që pret rezultatet final të hetimit nga SPAK. Në dosjet e shumta të kontrolleve nga auditi, KLSH apo dhe raportet e brendshme të institucioneve gjenden skandale të pafundme.

Shkelje ligjore, abuzime të cilat janë bërë kryesisht nga Ministria e Mjedisit e cila drejtohej nga Lefter Koka dhe Sekretar i Përgjithshëm ishte Alqi Bllako.

Koka ndodhet pas prangave, ndërkohë Bllako po kërkon të fshihet pas mandatit dhe po merr mbështetjen e njerëzve të qeverisë, që qartazi po përpiqen ta mbulojnë aferën 128 milionë euro me inceneratorin e Tiranës.

Mjafton që SPAK të verifikojë dokumentacionet e auditeve, KLSH të inspektojë terrenin, verifikimin e pagesave dhe gjithçka është e qartë. Ka jo vetëm shkelje dhe abuzime me ligjin, por gjurmët janë krejtësisht të pastra. Një tufë zyrtarësh të përfshirë në një aferë që nuk mund të mbyllet me një pjesë lekësh të gjetura në xhepat e ish-ministrit Lefter Koka.

Hetimi i plotë i aferës së inceneratorëve nxjerr zbuluar jo vetëm një por disa ministri, përfshi këtu edhe Bashkinë e Tiranës, e cila për gati 4 vite ka paguar mbi 40 milionë dollarë për incenerimin e mbetjeve dhe kjo s’ka ndodhur në asnjë rast, pasi incinerator në Tiranë nuk ka dhe punimet për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit ende nuk kanë përfunduar gati 5 vite pas firmosjes së kontratës dhe dhjetëra milionë eurove që koncesionari ka marrë nga qeveria, Bashkia e Tiranës por edhe bizneset private.

Sipas të dhënave zyrtare që ka siguruar CNA.al, shkeljet ligjore janë me dhjetëra

Më poshtë po sjellim 13 shkelje ligjore në njoftimin e kontratës për inceneratorin e Tiranës, ku lehtësisht kuptohet se nxitimi, apo para përzgjedhja e fituesit kanë bërë që autoritetet të lenë gjurmë të cilat nuk kanë mundur dot ti fshijnë dhe fshehin.

Dokumentet zbulojnë se në njoftimin e Kontratës nuk identifikohen:

1-Vlera e parashikuar e kontratës koncesionare;

2-Afati i fundit për dorëzimin e ofertave;

3-Adresa në të cilën duhet të dërgohen ofertat;

4-Gjuha/gjuhët dhe shkrimi/shkrimet, në të cilën/cilat duhet të hartohen ofertat;

5-Koha dhe vendi i hapjes publike të ofertave;

6-Kriteret për përjashtimin e ofertuesve;

7-Kriteret në lidhje me gjendjen ligjore dhe përshtatshmërinë për të ndjekur aktivitetin profesional, aftësinë teknike dhe profesionale, si dhe dëshmitë e të dhënat, me anë të të cilave një operator ekonomik vërteton plotësimin e kërkesave të tilla;

8-Lloji dhe vlera e garancisë së tenderit që ofertuesit duhet të paraqesin;

9-Kriteret për dhënien e kontratës;

10-Emri dhe adresa e organit përgjegjës për procedurën e shqyrtimit, si dhe të dhënat për afatet për shqyrtimin e kërkesës;

11-Nuk pasqyrohen të plota elementët e kërkuar, veçanërisht afati për dorëzimin e ofertave dhe afati për hapjen e tyre, referuar përcaktimit se vendi, data dhe koha e hapjes së ofertave duhet të jetë publike dhe duhet të njoftohet nga Autoriteti Kontraktues, në mënyrë që cilido operator të jetë prezent me dëshirën e tij.

12-Nuk është përcaktuar as zgjidhja e çështjeve të pronësisë mbi territorin ku do të vendoset ky investim;

13-Procedura konkuruese nuk gjendet as në Sistemin Elektronik të Prokurimit në APP.

Këto janë vetëm një segment i vogël i shkeljeve ligjore të kontratës e cila ka favorizuar koncesionarin e para përzgjedhur, një nga kompanitë e Klodian Zotos i cili për tu fshehur këtë herë e regjistroi në Holandë, duke dashur të zhdukë gjurmët e tij, por sërish edhe aty më pas figuron vetë drejtor i kompanisë.

Në Tiranë, sipas të dhënave drejtor i kompanisë figuron Mirel Mërtiri, ky i fundit bashkëjetuesi dhe prindi i dy fëmijëve të Stela Gugalles, pronares të kompanisë që ndërtoi inceneratorin e Elbasanit dhe lidhet me Klodian Zoton dhe Mirelin edhe nëpërmjet kompanive të tjera zinxhir që kanë qenë pjesë e kupolës së ngritur për ndërtimin e inceneratorëve.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNA.al