Vendosni fjalën kyçe....

Aleati i Putinit: Paqja me SHBA-në është e mundur vetëm pas një rendi të ri botëror


Shpresat që marrëdhëniet e tensionuara midis Moskës dhe Uashingtonit mund të përmirësohen nuk ka gjasa të ndodhë për momentin. Kështu ka deklaruar një politikan i lartë rus, duke argumentuar se vetëm kur të vendoset një rend i ri botëror do të ketë më pak konflikt midis dy shteteve.

Gjatë një interviste me Ukraina.ru në fillim të kësaj jave, Aleksey Pushkov, një aleat i ngushtë i Presidentit rus Vladimir Putin, dha pikëpamjet e tij lidhur me situatën.

“SHBA është një hegjemon që gradualisht po humbet pozicionin e saj në botë.”- pohoi ai, sipas RT. “Ata pësuan një disfatë shumë të rëndë në Lindjen e Mesme, humbën Sirinë, humbën betejën për Afganistanin, u detyruan të tërhiqnin pothuajse të gjitha trupat e tyre nga Iraku në fund të vitit 2021”.

Sipas senatorit rus, zyrtarët amerikanë “po përpiqen të ruajnë ndikimin e tyre dominues duke pasur konflikte njëkohësisht me Rusinë dhe Kinën, edhe pse me shkallë të ndryshme intensiteti”. Pushkov vuri në dukje se kjo krijon një mjedis nervor si në Amerikë ashtu edhe në pjesën tjetër të botës.

“SHBA nuk na trajton më si fuqi dytësore.”– shpjegoi ai. “Ata na trajtojnë si një fuqi kryesore, prandaj përmendin Rusinë, jo Kinën, si një nga problemet kryesore me të cilat përballet administrata Biden në vitin 2022”. Pushkov paralajmëroi se ky do të jetë “një vit krize mes Uashingtonit dhe Moskës”.

“Siç e kuptoj unë, ata tani duan të zgjidhin ‘problemin rus’, domethënë të nënshtrojnë praktikisht të gjithë Evropën, duke e shtyrë Rusinë në periferi të saj.”– tha ai. “Kjo është pikërisht ajo pse ata kanë nevojë për Ukrainën. Faza tjetër do të jetë një konfrontim politik apo edhe ushtarak me Kinën”.

Pushkov shtoi se elita politike dhe financiare e Amerikës “beson se ata janë të vetmit që mund të drejtojnë botën dhe nuk kanë ndërmend të lënë askënd tjetër të marrë timonin. Pra, derisa të vendoset një rend i ri botëror në të cilin SHBA-të janë më të dobëta dhe roli i saj të jetë zvogëluar, ne do të jemi në një konflikt pak a shumë të mprehtë politik me ta.”

Këto komente të Pushkovit vijnë në mes të një përplasjeje gjithnjë e më të tensionuar midis Lindjes dhe Perëndimit, me zyrtarë të lartë amerikanë që akuzojnë Moskën për grumbullimin e trupave dhe mjeteve luftarake pranë kufirit ukrainas përpara një pushtimi.