Vendosni fjalën kyçe....

LSI prezanton “GEN”, Kryemadhi: Dy persona po mbajnë peng Shqipërinë me një parlament teatër


Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi prezantoi sot Ekipin e Gjeneratës për Ndryshim, GEN, një nismë e të rinjve të kësaj force politike.

Sipas Kryemadhit, vendi ka nevojë për një parlament të vërtetë dhe jo teatër ku certifikohen aferat korruptive nga dy persona.

“Kemi nevojë për një Parlament të vërtetë dhe jo teatër që certifikon aferat korruptive mes dy personave që mbajnë peng Shqipërinë.”- tha Kryemadhi duke nënkuptuar kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha.

Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi vuri në dukje se një nga kërkesat e kahershme të LSI-së është zgjedhja e presidentit nga populli.

FJALA E KRYEMADHIT:

“Faleminderit për ftesën në startimin e kësaj inisiative kaq të rëndësishme. GEN…Ekipi i Gjeneratës për Ndryshim, më pëlqen tejmase ky emër që e keni quajtur ekipin tuaj.

Kur më erdhi njoftimi juaj që më shpjegonte çfarë kishte ndodhur, si e keni ideuar dhe hapat që keni ndërmarrë, e kam vlerësuar si aktivitetin politik më të rëndësishëm që është zhvilluar ndonjëherë brenda LSI në këto 2 dekada.Ne vijmë sot pas zgjedhjeve të 25 prillit. Kontributi i shumë prej jush që kanë qenë kandidatë në qarqet e Shqipërisë ka qenë i jashtëzakonshëm, dhe unë ju përulem me mirënjohje që keni përfaqësuar vlerat më të mira të gjeneratës tuaj, duke e bërë ofertën e LSI shumë herë më të vlefshme.

Votat e LSI në realitet janë mbështetje për qëndrimet tuaja. Për vizionin që keni parashtruar. Fatkeqësisht pesha e madhe elektorale që qytetarët ju dhanë juve si të rinj, nuk u përkthe në mandatet e duhura të përfaqësimit në parlament, për shkak të sistemit të padrejtë zgjedhor.

Pas 25 Prillit ne kemi dashur të çonim përpara ndryshime rrënjësore që të rikthenin besimin tek Shqipëria, për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e të gjithë shqiptarëve.

Ne kemi dashur të realizojmë ndryshime që të sigurojnë delegimin e sovranitetit të popullit nëpërmjet votës, e cila nuk vidhet, tjetërsohet, blihet, manipulohet:

  1. Ne do të realizonim ndryshimet e nevojshme ligjore e teknike, që të krijohet mundësia, për të votuar të gjithë shqiptarët jashtë vendit. Të cilët mos të përdoren mish për top sa herë kanë nevojë politika për ta. Të marrin edhe përgjegjësi për drejtimin e punëve të vendit, por edhe vlerësimin që meritojnë.
  2. Ne do të realizonim, në konsultim të gjerë me të gjithë publikun, një reformë të thellë dhe e vërtetë për zgjedhjet. Që Identifikimi, votimi dhe certifikimi i rezultateve të votimit të jetë i pakontestueshëm dhe në kohën sa më të shpejtë të mundshme. Në përshtatje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, do të bënim që kodi zgjedhor të rregullohet dhe që partitë politike ose koalicionet t’i kenë listat e kandidatëve 100 përqind të hapura, normalisht duke i lënë mundësine edhe atyre që duan ti mbajnë pjesërisht të mbylluara për ti lejuar ta mbajë të mbyllur listën deri në 30 përqind.
  3. Do të mund të realizonim një ndarje elektorale të ndershme të Shqipërisë, me qëllim që çdo deputet të ketë të njëjtën peshë përfaqësimi, dhe të ngushtohet mundësia e daljes deputet të personave që kanë influenca lokale, të bazuar në veprimtari të paligjshme.
  4. Do të mund të realizonim përmes të rinjve tanë që do të ishin në parlament, ndryshime ligjore për ndërprerjen e financimeve të paligjshme, kriminale të partive politike, apo të kandidatëve për deputet, apo drejtues të qeverisjes lokale.
  5. Gjithashtu, pas 25 prillit në listën e detyrave tona ishin edhe realizimi i ndryshimeve ligjore që të zhbënin shkatërrimin kushtetues të vitit 2008. Që të realizonim kontrollin dhe balancimin real të pushtetit legjislativ me atë ekzekutiv dhe rritjen e transparencës dhe mirëqeverisjes.

Të tilla si:

  1.  -Ndryshimi i formulimit të përmbajtjes së mocionit të Mosbesimit dhe atij të Besimit. Që Shqipëria të mos jetë me një republikë kryeministrore, por të ngrejmë parlamentarizmin në fuqinë e vërtetë që parashikonte Kushtetuta e 1998 e miratuar me referendum.
  2.  -Ndryshimi i formulimit të ligjit për referendumet, më qëllim që të realizohet praktikisht. Sepse nuk ka asnjë llogjikë që politikanët shqiptarë zgjidhen çdo 4 vjet në Parlament, dhe e izolojnë vendimmarrjen nga qytetarët.
  3. -Rregullim ligjor, për të rritur efektivitetin dhe për të patur rezultate konkrete të komisione hetimore parlamentare. Sepse është vërtetuar se komisionet hetimore këto 30 vjet kanë shërbyer si qoka për ti mbyllur aferat korruptive, në vend që ti mbajnë përgjegjës ata që duhet të japin llogari para qytetarëve.
  4. Ndryshime ligjore për PPP, koncesionet, tenderimet (transparance, gare midis subjekteve, etj)
  5. Ristrukturim i administratës publike, duke ecur me parimin qeveri e vogël (10-12 ministri) dhe institucione e drejtori qendrore të riorganizuara (100-150), Institucione varësie e drejtori), pjesë e Administratës Publike.
  6. Pa harruar edhe një pikë që ne si LSI e kemi besuar fort që në gjenezën tonë: Zgjedhja e Presidentit drejpërdrejt nga populli.

Jam e bindur se përmes këtyre ndryshimeve do të realizohej më së miri:

  1. Balancimi i pushtetit legjislativ- Ekzekutiv – Gjygjësor.
  2. Rritja sovranitetit të popullit, pasi zgjedh drejtuesin e shtetit me votë të drejperdrejt.
  3. Detyrimi i partive politike për të zgjedhur kandidatë dinjitozë, duke ja dhënë mundësinë e përzgjedhjes popullit në listat e hapura realisht.
  4. Presidenti bëhet realisht institucioni mbi palët politike, mbajtës i sovranitetit të popullit, dhe drejtuesi real i negocimit të krizave politike, që janë të pashmangshme në një vend demokratik.

 
Tashmë mundësia për ti realizuar të gjitha këto më sipër, për shkak të numrave modest që ne kemi në Kuvend nuk ekziston; por unë e mirëpres aktivizimin tuaj për ta çuar betejën që nisëm në një hap tjetër.

 
Ju duhet të sfidoni sistemin aktual. Sistemin aktual në mënyrën si zhvillohet jeta politike dhe demokratike në Shqipëri; por edhe sistemin brenda partisë, aty ku është gjeneza e çdo gjëje në fakt.

Do të ndjek me shumë vëmendje të gjithe punimet e GEN, me premtimin për të qëndruar e hapur dhe mirëpritëse e platformës që ju do të hartoni në konsultim me strukturat e partisë, me shoqërinë civile dhe me intelektualë dhe profesionistë të gjenerates tuaj jashtë partisë.

Jam e bindur se produkti që GEN do të sjellë, do të mundësojë LSI që të riformatohet, të ridimensionohet, për të qenë vërtetë një forcë politike e gjeneratës së fundit, e gjeneratës tuaj; e që të realizojë përmes imponimit në jetën politike ndryshimin e Shqipërisë që gjenerata e të rinjve dhe të rejave tanë të mrekullueshëm meritojnë.

Uroj që kjo iniciativë të vazhdojë më tej, sepse ndihem krenare që në 17 vite kam dhënë mundësi pafund për të rinjtë dhe i shoh sot të arrirë. Është një mundësi që në 30 vitet e jetës time politike, kam krijuar rrugë të reja për të.