Aktori shqiptaro-grek Panos Natsis (Panajot Naçi), ka humbur jetën në moshën 31-vjeçare në një aksident rrugor.
Aksidenti ndodhi mëngjesin e së shtunës në kryqëzimin e rrugëve Deligiorgi dhe Kerameikou në Athinë, ku sipas gazetës Protothema, Natsis ka qenë duke udhëtuar me një motor kur u përplas me një kamion.
Ai po kthehej nga shtëpia e koleges së tij Alexandra Tavoularis, e cila kishte ditëlindjen.
Kush ishte Panos Natsis?
Panos ka lindur më 3 janar 1991 në Athinë dhe është diplomuar në Shkollën Dramatike të Teatrit të Artit në vitin 2012. Ai kishte marrë pjesë në shfaqjet teatrale “Mirë se erdhe Detektiv Poirot” (2013-2014), “Stella me doreza të kuqe” (2015- 2016), “Tingulli i armës” (2016-2017) dhe shumë të tjera.
Për të tretin vit luajti në shfaqjen teatrale të George Kapoutzidis, “Kush do të divorcohet, të ngrejë dorën”. Ai ka luajtur edhe në serialin e përditshëm të ANT1, “Gruaja pa emër” (2018). Këtë sezon ai do të luante në serialin e ri humoristik të George Kapoutzidis, “Serres”. Paraqitja e tij e parë në film ishte në filmin me metrazh të shkurtër “Mary Wants a Purple Dress” (2015), ndërsa në vitin 2016 vijoi me filmin “3000”.