Nënkryetarja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, ka dalë sot në një deklaratë për mediet për të bërë një denoncim të radhës mbi aferën e inceneratorëve.
Duke iu referuar një auditimi të KLSH-së, Tabaku shprehet se që nga viti 2018 po paguajnë dy herë një incenerator inekzistent në zonën e Sharrës: “Por ndërkohë që afera më e madhe korruptive, ashtu siç thotë edhe raporti i fundit i performancës, i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili nuk është bërë akoma publik, por sigurisht që është vënë në dispozicion të opozitës dhe të gjithë faktorëve, tregon që qytetarët e Tiranës që nga viti 2018 po paguajnë dy herë një incenerator inekzistent në zonën e Sharrës.
Ndonëse inceneratori është një nga mënyrat më pak e dëshirueshme përsa i përket menaxhimit të mbetjeve, kështu thotë KLSH, është marrë si një kontratë fituese për Tiranën dhe është duke u zbatuar.”
Sipas saj, u paguan 80 milionë euro për incineratorin që nuk ekziston në një kohë kur Bashkia nuk e përballon dot projektin e panevojshëm për Tiranën, por që kryebashkiaku Erion Veliaj e firmosi.
Tabaku thotë se dosja e re do të çohet në SPAK.
DEKLARATA E TABAKUT
Një muaj më parë, ish ministri dhe deputeti i Edi Ramës u arrestua për aferën e inceneratorit të Elbasanit dhe atë të Fierit.
Një arrestim i duhur ndonëse i parathënë, nuk mund të zhbëjë aferën korruptive të inceneratorëve prej 430 mln eurosh dhe nuk mundet t’i shërbejë si mbulesë për të gjithë grupin e strukturuar kriminal duke filluar që nga Edi Rama.
Megjithëse Lefter Koka sot është në burg, inceneratori i Fierit që është një skenë krimi, vazhdon çdo ditë pagesat që vijnë nga buxheti i shtetit.
Por ndërkohë që afera më e madhe korruptive, ashtu siç thotë edhe raporti i fundit i performancës, i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili nuk është bërë akoma publik, por sigurisht që është vënë në dispozicion të opozitës dhe të gjithë faktorëve, tregon që qytetarët e Tiranës që nga viti 2018 po paguajnë dy herë një incenerator inekzistent në zonën e Sharrës.
Ndonëse inceneratori është një nga mënyrat më pak e dëshirueshme përsa i përket menaxhimit të mbetjeve, kështu thotë KLSH, është marrë si një kontratë fituese për Tiranën dhe është duke u zbatuar.
Arsyeja se përse Shqipëria ndonëse në një nivel të ulët të mbetjeve për frymë në Europë ka vendosur të ndërtojë një incenerator kur të gjitha studimet, analizat e mjedisit dhe analiza financiare na tregonin që nuk duhej ta ndërmerrnin, lidhet pikërisht me vjedhjen kolosale në këtë skemë financimi.
Sipas raporteve të KLSH, që ka analizuar në vitin 2019 kontratën dhe zbatimin e saj deri më sot, vlera reale e depozitimit të mbetjeve në incenerator është 40.6 euro/ton mbetje, një vlerë e panegociuar por e pranuar nga qeveria pa asnjë ndryshim.
Për rrjedhojë qytetarët e Tiranës falë përfshirjes së Erion Veliaj në Grupin e Strukturuar Kriminal të Plehrave, paguajnë sot dyfish më shumë, duke pasur parasysh edhe rritjen e tarifave të pastrimit.
Vetëm për vitin 2020 kosto e pastrimit të qytetit të Tiranës ka shkuar nga 2.56 mld lekë dhe kjo është një shifër që paguhet nga qytetarët e Tiranës, në një kosto pothuajse dy herë më të lartë.
Ndërkohë që përsa i përket Landifillit të Sharrës shpenzimet prej 1.5 milionë eurosh, janë rritur në 1 miliard euro që do të thotë se sot paguajmë shërbime 10 herë më të larta në koston e pothuajse 8 milionë eurove.
Kjo shifër paguhet nga taksat e rritura të qytetarëve dhe bizneseve.
Ndërhyrja e shtetit, thotë Raporti i KLSH-së, vjen si pasojë e detyrimit të një kontrate abuzive me konçesionarin duke u bazuar në sasinë e mbetjeve që depozitohen në Landfill.
Sipas të dhënave, Bashkia Tiranë ka vështirësi për ta paguar këtë kontratë.
Në vitin 2018 ka paguar 23% të shërbimit, në 2019 47% dhe në 2020 ka përballuar 38% të shërbimit, që do të thotë që pjesa më e madhe vazhdon dhe rëndon mbi buxhetin e shtetit.
Përditë e më shumë bëhet e qartë se përse Partia Socialiste është kthyer në mburojë dhe bllokuese të inceneratorëve.
Sot e kësaj dite në atë që duhej të ishte Inceneratori i Tiranës, raporti i KLSH-së thotë se megjithëse është paguar një shumë, shumë e madhe, rreth 80 milionë euro, kanë përfunduar vetëm 2 nga 9 lotet e parashikuara prandaj sot qytetarët e Tiranës nuk janë duke e marrë shërbimin e incenerimit dhe kjo është shkelja më e lartë që indentifikon ky Raport.
Kjo është arsyeja që unë besoj që kanë vendosur të bëhen mburojë politike për Komisionin Hetimor Parlamentar të Inceneratorëve për të mos na lejuar ne që t’i shkojmë kësaj afere deri në fund.
Të dhënat e prezantuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit janë jashtëzakonisht shqetësuese. Por këto, nuk janë shqetësuese për qeverinë.
Nëse ne sot po deklarojmë se po paguajmë 8 milionë euro në vit për një incenerator që nuk ekziston, që Bashkia e Tiranës është vendosur në një rrezik të jashtëzakonshëm financiar sepse nuk e përballon koston, që Bashkia e Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës, Kamzës dhe Bashki të tjera si këto, janë sot duke paguar tarifa të larta vetëm që inceneratori të funksionojë, sot ka vetëm një përgjegjës, Edi Rama.
Sigurisht, që kjo është bërë në bashkëpunim me Arben Ahmetajn, Damian Gjiknurin, Lefter Kokën që sot është përpara drejtësisë, tre kryetarëve të bashkive Tiranës, Elbasanit dhe Fierit dhe e gjithë procedura është drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi.
KLSH thotë se Kompania Konçesionare nuk e ka pasur asnjëherë kapacitetin për ta zbatuar këtë projekt. Ka marrë dy kredi bankare dhe i ka shlyer këto kredi bankare me fondet e buxhetit të shtetit.
Kjo është shkelja e katërt më e rëndë duke treguar se kjo kompani nuk kishte asnjë lidhje me incenerimin, nuk kishte asnjë ekspertizë përsa i përket menaxhimit të mbetjeve dhe sigurisht u krijua për vjedhjen kolosale të 430 milionë eurove.
Ky Raport i KLSH-së na tregon që PD ka qenë e drejtë në betejën e saj.
Që ngritja e Komisionit Hetimor dhe bllokimi i punës së saj me urdhër politik, sigurisht tregojnë që kjo aferë nuk ka shkuar deri në fund me arrestimin e Lefter Kokës.
Ne jemi të vendosur që ta çojmë të gjithë dosjen përpara SPAK-ut, dhe në çdo mënyrë tjetër përpiqemi të çojmë përpara drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal.