Vendosni fjalën kyçe....

Shtatë organizata të lidhura me OKB akuzohen për evazion fiskal në Nigeri


Në Nigeri, 7 organizata të lidhura me OKB-në janë akuzuar për evazion fiskal në rajonin Borno, ku vepron organizata terroriste Boko Haram.

Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme të rajonit Borno (BO-IRS) akuzon 7 organizatat e OKB-së për evazion fiskal.

Në një deklaratë nga BO-IRS thuhet se organizatat që akuzohen për evazion fiskal janë Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA), Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR), Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF), Programi Botëror i Ushqimit (WFP), Programi i OKB-së për Zhvillim (UNDP), Agjencia e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Pasi vihet në dukje se pavarësisht që ligjet ndërkombëtare që rregullojnë funksionimin e sistemit të OKB-së i përjashtojnë ata nga pagesa e taksave, në deklaratë thuhet se kjo nuk është e vlefshme kryesisht për stafin e tyre lokal dhe partnerët me kontratë.

Kreu i BO-IRS, Mohammad Alkali në një deklaratë vuri në dukje se Institucionet e OKB-së si Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) i respektojnë këto ligje.

Që nga viti 2009 më shumë se 20 mijë persona e kanë humbur jetën në aktet masive terroriste të kryera nga Boko Haram, e cila në Nigeri është e pranishme që nga fillimi i viteve 2000.

Organizata terroriste që nga viti 2015 e deri më tani ka ndërmarrë sulme edhe në shtetet fqinje si Kamerun, Çad dhe Niger. Të paktën 2.000 persona e kanë humbur jetën nga sulmet e organizatës në pellgun e liqenit të Çadit.

Për shkak të sulmeve në rritje në rajon, institucione të ndryshme të OKB-së vazhdojnë aktivitetet e tyre të ndihmës humanitare.