Ish-presidenti Donald Trump ka kritikuar administratën e Joe Biden mbi “fiksimin” e saj se si të mbrojë kufirin e Ukrainës, duke e akuzuar se po mbyllte sytë ndaj krizës aktuale në SHBA, në kufi me Meksikën.
Trump i kërkoi Biden-it që së pari të siguronte kufirin amerikan përpara se të fliste për pushtimet e vendeve të tjera.
“Të gjithë në Uashington janë të fiksuar se si të mbrojnë kufirin e Ukrainës, por kufiri më i rëndësishëm në botë tani për ne nuk është kufiri i Ukrainës, është kufiri i Amerikës.”– u tha Trump mbështetësve të tij gjatë një tubimi në Teksas, citon RT.
Duke përmendur një numër rekord të lartë të emigrantëve të paligjshëm që arrijnë në kufirin SHBA-Meksikë, ish-presidenti e krahasoi fluksin e njerëzve me një “pushtim” që kërcënon sigurinë e SHBA-ve.
Ai vazhdoi të argumentonte se Bideni tashmë e kishte “dorëzuar” kufirin e SHBA-së dhe “tani i gjithë planeti po ndërhyn nëpër të sikur Amerika të ishte mposhtur në fushën e betejës”.
“Përpara se liderët tanë të flasin për pushtimet e vendeve të tjera, ata duhet të ndalojnë pushtimin e këtij vendi.”– shtoi Trump, duke sugjeruar që SHBA duhet të rrisë trupat në kufirin e saj jugor në vend që të vendosë ushtarë amerikanë më afër pragut të Rusisë. Përpara se Joe Biden të dërgojë çdo trupë për të mbrojtur një kufi në Evropë, ai duhet të dërgojë trupa për të mbrojtur kufirin tonë pikërisht këtu në Teksas.
Trump foli në tubim vetëm një ditë pasi Bideni u tha mediave se trupat amerikane do të dërgoheshin në Evropën Lindore “në një afat të afërt”. Në fillim të kësaj jave, Pentagoni kishte vendosur rreth 8 mijë e 500 trupa në “gadishmëri të shtuar” me synimin për t’i dërguar ato në rajon.
Ndërsa Pentagoni përjashtoi mundësinë e përfshirjes ushtarake të SHBA-së në “operacionet luftarake” në Ukrainë, gjeneralët e lartë amerikanë dhanë një pamje të zymtë të pasojave të një konflikti të mundshëm të plotë midis Kievit dhe Moskës, duke paralajmëruar për pasoja “të tmerrshme” dhe “viktima”, edhe pse Rusia e ka mohuar vazhdimisht se po planifikon të pushtojë fqinjin e saj.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjithashtu kërkoi të hedhë poshtë raportet për një pushtim “të afërt” të Ukrainës nga Rusia, duke iu lutur mediave dhe politikanëve perëndimorë që të ndalojnë së shkaktuari panik të panevojshëm.