Vendosni fjalën kyçe....

U tërhoq nga gara, Voltana Ademi voton në Primaret e Shkodrës: Pas zgjedhjeve do i rikthehem profesionit


Një ditë pas tërheqjes nga primaret e iniciuara nga ish-kryeministri Sali Berisha, Voltana Ademi thotë se pas vendimit të saj nuk fshihet asgjë tjetër përpos atyre që ajo ka bërë me dije përmes një statusi në rrjetet sociale.

Ajo shkoi sot të votonte në Shkodër për kandidatin e saj të preferuar, ndërsa u shpreh para medieve se pas zgjedhjeve do t’i rikthehet profesionit të saj.

Këto primare sipas Ademit, janë një leksion demokracie që duhet të jepet në të gjitha bashkitë e në të gjithë vendin.

“Ky është procesi demokratik që për herë të parë grupi i Rithemelimit të PD në Shkodër bën për të zgjedhur nga anëtarësia të zgjedhurin e tyre që do të jetë nesër kandidat për zgjedhjet e 6 marsit. Është procesi i parë që ndodh. Për mua është shumë vonë. PD do duhet ta kishte bërë shumë kohë përpara. Përzgjedhja është proces meritokracie. PD ka pasur shumë nevojë. Ne bëjmë të mundur që grupi i njerëzve do të jenë të vlerësuarit që do të kenë tagrin dhe përgjegjësinë për t’u votuar nga qytetarët e Shkodrës. Kjo e ndihmon që PD të fillojë përmes një sistemi meritokracie përzgjedhjen për drejtimin.

 Ky proces nuk ndihmon vetëm PD dhe opozitën por është një ushtrim demokracie në vend. Fakti që bëhet edhe në Shkodër i jep vlerë sistemit të demokracisë që duam të ndërtojmë në vend. Ky është një ogur i mirë për të ardhmen e Shqipërisë. Ka ardhur fundit dhe gjithmonë kjo mënyrë do kthehet sa herë që drejtuesit nuk e sigurojnë.

Unë kam qenë e qartë dhe jam përpjekur të jem e qartë duke e qenë e bindur se përfaqësimi i njerëzve që duan të drejtojnë Shkodrën do jenë një grup. Jam ndër ato që e kam mbështetur lëvizjen e Berishës duke bërë të mundur që ky grup të votohet duke bërë të mundur që të kemi një pjesëmarrje sa më të mirë.

Edhe një thirrje për të votuar edhe për datën 6 mars. Bëhet fjalë për një leksion demokracie që duhet ta japim në bashkitë e të gjithë vendin. Mendoj se do fillojmë nga 6 bashkitë për të arritur në 61 që sistemin e monoplozimit ta zhbëjmë. Ne do fitojmë bashkinë e Shkodrës dhe të shohim angazhimin e anëtarëve të PD. Në krizë sot është Lulzim Basha. Nuk e di kush është Lulzim Basha. Procesi politik që bëjmë sot është pjesë e demokratizimit për të shporrur monopolizimin e shtetit nga Lulzim Basha te Edi Rama. Fillojmë të gjithë kemi imazh më të mirë si vend.

Pas këtij mandati do jem në Shkodër në funksion të profesionit tim dhe angazhimit tim politik që do të jetë si përpara. Nuk do vendosë Sali Berisha kush është kryetar i bashkisë Shkodër. Ai ka bërë të mundur t’i japë fuqi secilit prej nesh përmes votës. Jam e lumtur që ia kemi arritur kësaj dite dhe që sistemi primar bëhet pikërisht nga forca politike dhe jo nga kryesia me 5 veta. Kjo është fuqia që na ka dhënë statuti i ri. Sot votoni për atë që ju mendoni se do të jetë përfaqësuesi juaj.”– u shpreh Voltana Ademi.

Kandidatët në Shkodër janë:

  1. Alfred Ernest Kocobashi, jurist;
  2. Arben Xhavid Maliqi, jurist;
  3. Astrit Myfid Bushati, Jurist;
  4. Bardh Ali Spahia, Mjek;
  5. Irena Lodovik Shestani Shala, ekonomist;
  6. Irma Musa Kopliku Alushi,  pedagoge matematike.