Kreu i grupit parlamentar të PS-së Balla ka pohuar sot se Shqipëria është ndër përfitueset më të mëdha nga projekti Ballkani i Hapur.
Në një deklaratë për mediat, Balla theksoi se nisma në fjalë krijon më shumë mundësi për biznesin e qytetarët.
Ai ka shtuar se në vijim në Kuvend do miratohen të tjera projektligje në kuadër të kësaj nismet.
“Kemi kaluar në seancën e fundit disa projektligje që kanë të bëjnë me implementimin e marrëveshjeve, në kuadër të Ballkanit të Hapur, që krijon më shumë mundësi për biznesin dhe qytetarët. Unë bëj pjesë në ata që mendojnë se Shqipëria është një ndër vendet më përfituese të kësaj nisme. Po ashtu edhe sipërmarrja, fermerët, janë përfitues të drejtpërdrejtë. Ne do të vazhdojmë punën e Kuvendit këtë javë më miratimin e një sërë projektligjesh.”
Lidhur me vetingun në sistemin e drejtësisë, ai tha se zgjatja e organeve të tij ka të bëjë me çuarjen para të reformës e pastrimit të sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit.
“Zgjatja e mandatit të organeve të vetingut nuk është një çështje e bindjeve politike, por një çështje që ka të bëjë me çuarjen përpara të një prej shtyllave kryesorë të Reformës në Drejtësi. Pa vetingun nuk do të kishim sot një drejtësi të pastruar. Nisma për shtyrjen e mandatit të organeve të vetingut nuk është për PS, por është një domosdoshmëri, ndaj dhe të gjithë duhet të jemi në sallën e Kuvendit dhe ta votojmë.” – tha Balla