Kryesuesja e listës së qarkut të Durrësit në zgjedhjet e 25 prillit për LSI-në, Elona Guri ka reaguar pas deklaratave që bëri sot sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Ky i fundit e quajti koalicionin mes Komisionit të Rithemelimit të PD-së dhe LSI-së një koalicion “non grata”.
Guri thotë se Bardhi ka “vjellë vrer” kundër koaicionit të opozitës së vërtetë për zgjedhjet e 6 Marsit, që sipas saj cënon interesat financiare të Lulzim Bashës dhe grupit të tij.
Po ashtu Guri thotë se Bardhi nuk ka lidhje me shtëpinë, pasi ka shkatërruar “shtëpinë e të tjerëve” duke iu referuar kështu Partisë Demokratike.
“Sekretari i Përgjithshëm i Kunat-Opozitës paska vjell vrerë furishëm kundër koalicionit të opozitës së vërtetë për zgjedhjet e 6 marsit.
E kuptojmë që ekzistenca e një opozite reale, cënon interesat financiarë që deputeti Basha dhe grupimi i tij përfiton nga shërbimi i verbër ndaj Edi Ramës.
Normal që Gaz Bardhi nuk ka lidhje me shtëpinë, se ka shkatërruar shtëpinë e të tjerëve…por, Shtëpia e Lirisë është një koalicion që i shpëton edhe ata vetë nga përgjegjësia, që të rreshtohen e strehohen edhe zyrtarisht në shtëpinë e pushtetit të Edi Ramës.”– shkruan Guri.
Pak më herët ditën e sotme, ish-kryeministri Sali Berisha konfirmoi për mediet koalicionin mes Komisionit të Rithemelimit dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim që i kishin vënë emrin “Shtëpia e Lirisë”.