Vendosni fjalën kyçe....

Ministri kosovar Liburn Aliu: Hekurudha Prishtinë-Durrës po bëhet realitet


Këtë të hënë ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë Liburn Aliu ndodhet në Durrës.

Në qytetin bregdetar po diskutohet lidhur me projektin e dizajnit për linjën hekurudhore Prishtinë – Durrës, që sipas ministrit Aliu po bëhet realitet.

 “Jemi tek drejtoria e përgjithshme e hekurudhave në Durrës për të diskutuar për hapat e mëtejmë të linjës hekurudhore që do t’i bashkojë ekonomitë tona dhe do t’i fuqizojë mundësitë për zhvillim ekonomik, si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë.”– shkroi Aliu, i cili ndan edhe një hartë të hekurudhës se si do të jetë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Aliu kishte prezantuar për media projektin për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës.

Kujtojmë se më 23 tetor, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen e ndërtimit për linjën hekurudhore Tiranë-Durrës.

Linja hekurudhore Tiranë-Durrës dhe lidhja e saj e re me Rinasin do të zbatohet nga kompania INC spa, e cila u shpall fituese një vit më parë ndërkohë që autoriteti kontraktor do të mbetet Hekurudha Shqiptare.