Vendosni fjalën kyçe....

Nuland: SHBA do t’i mbajë sekret sanksionet që planifikon të vërë ndaj Rusisë nëse pushton Ukrainën


SHBA duhet t’i mbajë plotësisht të fshehta sanksionet e planifikuara kundër Rusisë, në mënyrë që Moska të mos ketë mundësinë t’i zbusë ato paraprakisht.

Kështu ka deklaruar nënsekretarja amerikane e shtetit Victoria Nuland në një intervistë për CBS të dielën.

Ajo shpjegoi se Uashingtoni po punonte për një sërë masash që do të vendoseshin nëse Rusia do të pushtonte Ukrainën, por nuk do ta linte Kremlinin të mësojë se çfarë ishin ato paraprakisht.

“Në lidhje me këtë paketë sanksionesh… parandalimi është më i miri kur ka pak paqartësi strategjike rreth asaj që ne do të bëjmë saktësisht.”- shpjegoi Nuland, citon RT. “Pra, ne kemi thënë masa financiare, kemi thënë kontrolle të eksportit, kemi thënë sanksione të reja ndaj elitave ruse… Por nëse i vendosim në tavolinë tani, atëherë Rusia do të jetë në gjendje të fillojë zbutjen e këtyre masave dhe kjo nuk ka kuptim për ne”.

Deklarata e Nuland vjen pasi një grup ligjvënësish amerikanë nga të dyja partitë Demokratike dhe Republikane, të udhëhequr nga senatori Bob Menendez, raportuan se ishin afër marrëveshjes për një sërë sanksionesh që mund të zbatoheshin menjëherë pas çdo pushtimi rus.

Sipas Uashingtonit, paketa e masave është krijuar për të penguar Rusinë nga konsiderimi i një inkursioni ushtarak në Ukrainë. Moska akuzohet për vendosjen e 100 mijë trupave në kufi dhe se po planifikon një sulm. Ky pretendim është mohuar vazhdimisht nga Kremlini.