Vendosni fjalën kyçe....

Osmani takon Lajçak e Escobar: Kosova të trajtohet në mënyrë të barabartë në dialogun me Serbinë


I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nisën të hënën vizitën pesëditore në Kosovë dhe Serbi, në përpjekje për t’i inkurajuar liderët e dy vendeve që të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Vizita e diplomatëve vjen pasi Kosova dhe Serbia, qysh në korrik të vitit 2021, nuk kanë zhvilluar asnjë rund bisedimesh në nivel të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Vizita e Escobarit dhe Lajçakut nisi me takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit tha se shteti është i përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke, duke theksuar se një marrëveshje për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.

“Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, tha Osmani, sipas një njoftimi të lëshuar nga zyra e saj.

Sipas njoftimit, Osmani tha se pret që të ketë trajtim të barabartë të palëve në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku evropian.

Presidentja Osmani po ashtu citohet të ketë thënë se Serbia po vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut dhe paraqet pengesa sa herë që ka takime të organizuara në kuadër të këtij procesi.