Vendosni fjalën kyçe....

Protesta në Çeki kundër kufizimeve Covid, qeveria e re e qendrës së djathtë nis zbutjen e masave


Mijëra njerëz morën pjesë në një protestë kundër kufizimeve të Covid-19 në Pragë, Çeki, të dielën, duke pretenduar se kufizimet janë një ‘rrugë për në ferr’.

Demonstruesit protestuan kundër politikave të qeverisë ndaj Covid-19, të cilat përfshijnë ndalimin e të pavaksinuarve në restorante.

“Shteti duhet të dëgjojë kërkesat e qytetarëve. Marrëveshjet dhe kufizimet na çojnë në rrugën drejt ferrit”, bërtiti një protestues, sipas Reuters, ndërsa të tjerët valëvitnin flamujt çekë dhe brohoritnin.

Një protestë e ngjashme kundër kufizimeve të Covid-19 në tetor 2020 çoi në përleshje me forcat e rendit pasi policia gjuajti me makina ujëhedhëse ndaj protestuesve dhe përdori gaz lotsjellës. Demonstruesit në atë kohë po protestonin kundër maskave të detyrueshme, politikave të distancimit social dhe kufizimeve në tubime sociale.

Në rastorantet çeke tani për tani klientëve u kërkohet të tregojnë prova të vaksinimit ose shërimit nga një infeksion i fundit Covid-19. Të njëjtat rregulla vlejnë për akomodimin në hotele, hyrjen në klubet e natës dhe festat muzikore.

Që kur një qeveri e re e qendrës së djathtë mori detyrën në mes të dhjetorit, autoritetet çeke kanë hequr dorë nga ideja e futjes së pasaportave të vaksinave për punonjësit e kujdesit shëndetësor, policët, ushtarët si dhe për të moshuarit mbi 60 vjeç.

Qeveria e re e kryeministrit Petr Fiala argumentoi se vaksinimet e detyrueshme vetëm sa do të nxisnin përçarje në shoqëri. Ai megjithatë deklaroi se vaksinimi ishte ‘mënyra më e mirë’ për të luftuar pandeminë.

Këtë muaj, ministri çek i Shëndetësisë Vlastimil Valek tha se ideja e vaksinimit të detyrueshëm ishte ‘pa kuptim që në fillim’.